– Si pasojë e sulmit ajror të avionëve luftarakë izraelitë në Baalbek në Libanin lindor, raportohet se të paktën 12 persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën
Të paktën 12 persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit ajror të avionëve luftarakë izraelitë në Baalbek në Libanin lindor, duke e shkelur marrëveshjen e armëpushimit, thanë mediat lokale, transmeton Anadolu.
Shtatë shtetas sirianë ishin midis viktimave në sulmet që synonin një kamp për refugjatët sirianë në qytetin Wadi Fa’ra në Baalbek, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve NNA.
Sulme ajrore izraelite u raportuan gjithashtu në periferi të qytetit Shmustar dhe Wadi Umm Ali, por ende nuk ka informacione në lidhje me të lënduarit.
Ushtria izraelite, nga ana e saj, pretendoi se sulmet kishin në shënjestër pozicionet e Hezbollahut në zonë.
Nuk pati asnjë koment nga Hezbollahu mbi pretendimin izraelit.
Lufta ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit Hezbollah në Liban u përshkallëzua në një luftë të plotë shtatorin e kaluar. Pavarësisht një armëpushimi të nëntorit, forcat izraelite kanë kryer sulme pothuajse të përditshme në Libanin jugor, duke pretenduar se kanë në shënjestër aktivitetet e Hezbollahut.
Që atëherë, autoritetet libaneze kanë raportuar gati 3.000 shkelje të armëpushimit nga ana e Izraelit, duke përfshirë vdekjen e të paktën 236 personave dhe plagosjen e më shumë se 540 të tjerëve.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u zgjat deri më 18 shkurt pasi Tel Avivi refuzoi të zbatonte marrëveshjen.
Deri më tani, Izraeli ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.