Leonard Ademaj për fëmijët: Pse babi i ndihmoi ‘hajnit’ që ta vrasë nënën

Në përfundim të dëshmisë së tij në seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe dy të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonard Ademaj, tha se fëmijët e viktimës vazhdojnë të shfaqin shqetësime të thella për rolin e babait të tyre në ngjarjen tragjike, raporton Ekonomia Online.

“Janë disa arsye që fëmijët më kanë thënë në lidhje me atë që nuk duan të bisedojnë me babin e tyre. Pse babi nuk e ndihmoi mamin, pse babi e la hajnin me ja ba mamës ‘bam’. Pse babi i ndihmoi hajnit që ta vrasë nënën dhe shumë të tjera që nuk po më kujtohen për momentin”, tha ai.

Ai theksoi se ndonëse drejtësia nuk mund ta kthejë jetën e Liridonës, dënimi duhet të jetë maksimal për të qenë një mesazh i qartë për shoqërinë.

“Mesazhi i familjes sonë është i qartë. Dënimi nuk na kthen Liridonën, por të paktën le të jetë një shembull për të gjithë ata, të cilët tentojnë të bëjnë një krim të tillë. Duke marrë parasysh natyrën e viktimës, rrethanat kriminale, të cilat i kanë bërë, dënimi të jetë kapital, pasi që dënimin populli ia ka dhënë vetë”, tha Ademaj para trupit gjykues.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan me 22 shtator dhe 6 tetor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi