Tenistja legjendare jugosllave, Monika Selesh, ka hapur zemrën dhe për herë të parë ka folur për sëmundjen autoimune me të cilën po lufton – sindromin e rrallë të miastenisë gravis (MG).
Seleš, simbol i luftës, guximit dhe vendosmërisë, ka lënë një gjurmë të madhe në historinë e tenisit botëror.
Vetëm 16-vjeçare, ajo u bë fituesja më e re e Roland Garros në histori, ndërsa deri në moshën 20-vjeçare kishte fituar tetë tituj Grand Slam.
Ajo arriti të riformësonte tenisin e femrave me stilin agresiv të goditjes së topit dhe, në kulmin e dominimit të saj, u ther gjatë një ndeshjeje. Ky sulm e detyroi të bënte një pauzë dyvjeçare, por pas rikthimit arriti të fitonte sërish një titull Grand Slam.
Tani, 51-vjeçare dhe anëtare e Shtëpisë së Famës së Tenisit Botëror, ajo ka folur për herë të parë për sindromin MG, sëmundje autoimune me të cilën po zhvillon një betejë të ashpër.
“Do të luaja tenis me fëmijët ose me anëtarë të familjes dhe e humbja topin. Shikoja dy topa dhe këto ishin simptoma të qarta që nuk duhen neglizhuar. Shenjat u shtuan – shikim i dyfishtë, duar të dhimbshme, këmbë të lodhura… Atëherë filloi kjo udhëtim. Më duhej shumë kohë ta pranoja me të vërtetë, të flisja për këtë, sepse është e vështirë për mua. Ndikon shumë në jetën time të përditshme”, tha Seleš për Associated Press.
Ajo tregoi se nuk kishte dëgjuar kurrë për këtë sëmundje dhe se nuk mund ta besonte kur mjeku i komunikoi lajmin e hidhur.
Instituti Kombëtar për Çrregullimet Neurologjike dhe Goditjet në SHBA e përshkruan këtë sindrom si “një sëmundje kronike neuromuskulare që shkakton dobësim të muskujve vullnetarë dhe që shpesh prek gratë nën moshën 40 vjeç dhe burrat mbi moshën 60 vjeç”.
“Nuk mund t’ju shpjegoj mjaftueshëm, por do të kisha dashur të kisha dikë si unë që të fliste për këtë sëmundje. Në kuptimin e tenisit, e kam përjetuar një rivendosje të vërtetë disa herë”, thotë Seleš.
Me “rivendosje” ajo nënkuptonte ngjarje të vështira në jetë dhe sfida që i erdhën njëra pas tjetrës.
Rivendosja e parë ishte kur si vajzë nga Jugosllavia u shpërngul në SHBA, e dyta kur u sulmua me thikë në mes të një ndeshjeje. Herën e tretë, saktësisht dhjetë vite më parë, ajo arriti të zgjidhte problemin e teprimit me ushqim, ndërsa tani po përballet me një sëmundje autoimune.