Lavrov komentoi stilin e tij të modës dhe xhemperin “SSSR”: Amerikanëve u pëlqeu

Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, krejtësisht e panevojshme ishte sensacioni që u krijua rreth xhemperit të tij të veshur të premten, kur mbërriti për negociatat në Alaskë.

Pjesa e sipërme me mbishkrimin “CCCP” (SSSR) tërhoqi shumë vëmendje të mediave. Lavrov pretendon se nuk ka asgjë të turpshme në simbolet sovjetike dhe se ai i sheh ato si një kujtesë për historinë. Megjithatë, rikujtimi i së kaluarës së perandorisë sovjetike dhe ekspansionit të saj territorial, në një moment kur po zhvillohen negociata për paqen në Ukrainë, shkaktoi kritika të shumta.

“Historinë duhet ta ruajmë, dhe këtë, nëse mund të thuhet kështu, me një dozë humori të lehtë”, deklaroi ai të martën për kanalin shtetëror rus “Rossiya-1”. Ai shtoi se xhemperi i tij, sipas tij, ka marrë komente pozitive edhe nga pala amerikane.

“Pa asnjë histeri, ata thjesht thanë se u pëlqeu xhemperi im. Kështu më tha (sekretari amerikan i shtetit) Marco Rubio”, tha Lavrov.

Bashkimi Sovjetik, sipas fjalëve të tij, është “pjesë e atdheut tonë, i cili më pas u bë Federata Ruse”. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për “ringjallje të mentalitetit imperial”. Por, pikërisht kështu e interpretuan kritikët dhe komentatorët, të cilët vështirë se besojnë që një diplomat me përvojë si Lavrov të mos ketë ditur se çfarë reagimesh do të shkaktonte paraqitja e tij.

Aktualisht, Rusia mban të pushtuar një pjesë të Ukrainës, kërcënon vazhdimisht shtetet baltike, ruan ndikimin e saj në Pridnjestrovje të Moldavisë dhe kohët e fundit ka pasur edhe mosmarrëveshje me Azerbajxhanin. Të gjitha këto vende dikur ishin pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (SSSR).

Modeli i xhemperit që Lavrov veshi, thuhet se menjëherë u bë i popullarizuar. Sipas pronares së markës ruse të modës “SelSovet”, tani njerëzit duhet të presin deri në një muaj e gjysmë për një porosi paraprake.

“Sigurisht që shitjet na janë rritur, fotografia (e Lavrovit me xhemper) shkaktoi një bum të vërtetë. Ishte lajmi më i rëndësishëm botëror dhe la një përshtypje të madhe tek njerëzit”, deklaroi pronarja e brendit për agjencinë TASS.

Presidenti rus Vladimir Putin, të premten, gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, bëri shaka duke e quajtur Lavrovin “imperialist”.

Herë pas here edhe anëtarë të tjerë të delegacionit rus treguan humor dhe ironi. Gjatë fluturimit për në Alaskë, për shembull, u shërbye “pule kieviane”, raportoi gazeta Independent.

“Me pulën kieviane dhe zgjedhjen e modës së Lavrovit, mendoj se është e qartë çfarë mesazhesh duan të dërgojnë rusët”, deklaroi për Independent Doug Klain, analist politik i organizatës joqeveritare Razom.

Kategoritë
BotaLajme