Derisa Evropa e ka të përqëndruar vëmendjen në luftën Rusi-Ukrainë, paqja dhe stabiliteti nuk janë aspak të garantuar në një zonë tjetër të paqëndrueshme, pra në Kosovë e Serbi. Kështu është shprehur emisari Miroslav Lajçak, në një intervistë për mediumin amerikan, “CNBC”.
“Stabiliteti është fragjil. Nuk mund ta marrim paqen dhe stabilitetin të garantuar.” – ka thënë ai.
Por koha po ecë. Me zgjedhjet e kësaj vere në Parlamentin Evropian, dhe më vonë gjatë këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, progresi në bisedimet për normalizimin mund të jetë kritik para se çështja të mos jetë më prioritet.
“Ajo që do të fillojë përpara se BE-ja e ShBA-ja të shkojnë në zgjedhje, do të vazhdojë gjatë gjithë procesit zgjedhor…Por ajo që nuk fillon më parë, kam dyshimet e mija se do të fillojë më pas.” – është shprehur tutje emisari evropian.
Tutje, mediumi amerikan shkruan se rezistenca me shumë gjasë mund të vijë nga liderët e dy shteteve, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq, të cilët siç thuhet tutje, “kanë baza nacionaliste në shtëpitë e tyre për t’i kënaqur”.
Por, leva më e madhe që e ka BE-ja, sipas Lajçak, është se suksesi i procesit të normalizimit po ashtu do të ndikojë me rrugën e dy shteteve drejt anëtarësimit në bllok.
Disa ditë më pas…
Duke marrë parasysh se kjo intervistë është realizuar muajin e kaluar, do të kalonin vetëm pak ditë që të ndodhnin shumë zhvillime.
Qeveria e Kosovës do të zbatojë vendimin e një rregulloreje të re të Bankës Qendrore e cila ndalon qarkullimin e dinarit në vendin tonë.
Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe BE-ja. Jo më larg se dje, mbi këtë çështje u deklarua para gazetarëve zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Ne nuk frikësohemi nga një status quo, nuk frikësohemi për asgjë, vetëm se popujt e Kosovës dhe Serbisë mund të lihen jashtë, në atë që është për ata nga procesi i anëtarësimit.” – tha ai.
Më pas, Stano duket se kritikoi Qeverinë e Kosovës për “mënyrën e komunikimit”, kjo sipas tij, po ashtu shkakton frikë se Kosova jo vetëm që mund të lihet pas, por edhe jashtë.
“Ne po shohim shumë gjëra, ndaj të cilave kemi reaguar javët e fundit, sidomos ndaj Kosovës, vendimet e njëanshme dhe gjëra që kanë ngritur shqetësimet tona bashkë me mënyrën e sjelljes së komunikimit nga autoritetet e Prishtinës. Kjo shkakton frikë te ana jonë, që Kosova mund të lihet jashtë, dhe mund të lihet pas.” – deklaroi ai.
Ndërkaq, reagim të ashpër pati edhe ShBA-ja. Përpos deklaratës së përbashkët me QUINT-in, përpos disa paraqitjeve publike të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier ku u deklarua rreth këtyre zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën me një komunikatë të gjatë të shtunën.
Mes tjerash, aty përmendej qartë se veprimet e Qeverisë së Kosovës rrisin tensionet dhe “kufizojnë mundësinë e ShBA-së për të shërbyer si avokat për Kosovën te ndërkombëtarët”.
“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.” – thuhej në këtë komunikatë.