Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz janë më të rëndësishmet në historinë më të re të popullit të Kosovës, sepse atëherë u sakrifikua një familje e tërë për lirinë që sot gëzon Kosova
Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancën solemne me rastin e shënimit të 25-vjetorit të manifestimit “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” në kujtim të rënies së komandantit Adem Jashari dhe 55 anëtarëve të familjes së tij, raporton Anadolu.
Në seancën solemne, e cila filloi me intonimin e himnit të Kosovës dhe himnit kombëtar të Shqipërisë dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar, familja e komandantit Adem Jashari, përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, diplomatë dhe mysafirë të tjerë.
Presidentja Osmani në fjalën e saj tha se ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz janë më të rëndësishmet në historinë e re të popullit të Kosovës, sepse atëherë u sakrifikua një familje e tërë për lirinë që sot gëzon Kosova.
“Kjo epope e UÇK-së është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë sonë. Në këtë betejë të lavdishme u përjetësua vendosmëria e familjes Jashari dhe e gjithë luftëtarëve të UÇK-së për të mbrojtur çdo pëllëmbë të këtij vendi, sikurse se edhe për ta përligjur sakrificën për atdheun, si sakrificën më sublime të njeriut”, tha Osmani.
Ajo theksoi se në betejën në Prekaz, në njërën anë ishin komandanti legjendar Adem Jashari, babai i tij Shabani dhe vëllai Hamza, anëtarë të familjes së tyre dhe bashkëluftëtarë të UÇK-së, të cilët personifikuan të drejtën dhe lirinë, ndërsa në anën tjetër ishin forcat gjenocidale serbe që nuk i kursyen as gratë e as fëmijët e familjes Jashari.
Presidentja tha se beteja në Prekaz u bë frymëzim për mijëra të rinj e të reja në Kosovë si dhe ngriti vetëdijen e komunitetit ndërkombëtar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se beteja dhe sakrifica e familjes Jashari është një ngjarje e paprecedentë jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.
“Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, sa që populli shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, ndërsa bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë frymë dhe përfshiu gjithë popullin tonë”, tha Konjufca.
Duke folur për historinë e betejës në Prekaz, kryeministri Kurti tha se ishte një betejë e pabarabartë në krahasim me mijëra njësite të rregullta dhe speciale të Policisë së Serbisë, të cilët po zbatonin një urdhër kriminal.
“Në historinë e UÇK-së dhe Kosovës, rezistenca e familjes Jashari nga Prekazi dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore dhe të tilla do të mbeten përjetë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti përkujtoi se shteti i pavarur i Kosovës filloi me pamfletet “Kosova Republikë”, të cilat i solli në Kosovë nga Türkiye në vitin 1982 Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit. Kurti shtoi se Rifat Jashari e ka mbajtur gjallë kujtimin e familjes Jashari për 25 vite.
Në seancën solemne folën edhe përfaqësues të grupeve parlamentare ndërsa në fund të pranishmit i përshëndeti Rifat Jashari.
“Këtu është Kuvendi ku merren vendime për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e shtetit. U kisha preferuar që të jeni të një qëndrimi të unifikuar dhe ta kapërcejmë këtë sfidë që është para nesh. Të ndahemi njëherë e mirë nga Serbia dhe pastaj të kemi kohë të merremi me gjëra të tjera”, tha Rifat Jashari.
“Epopeja e UÇK-së” është një manifestim që tradicionalisht mbahet më 5,6 dhe 7 mars, në kujtim të komandantit Adem Jashari dhe 55 anëtarëve të familjes së tij, të cilët u vranë në vitin 1998 në sulmet e njësive speciale të policisë serbe. Po ashtu, tradicionalisht në këto tri ditë zyrtarë dhe qytetarë vizitojnë Qendrën Memoriale në Prekaz ndërsa manifestimi përfundon me ndezjen e flakadanëve në Prekaz.













