Një kompleks sekret banimi luksoz, që dyshohet se është ndërtuar për rrethin më të afërt të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, mund të shndërrohet në skandalin e korrupsionit që do të përcaktojë presidencën e tij, shkruan Kyiv Independent.
Prokuroria pretendon se brenda katër viteve janë pastruar pothuajse 9 milionë dollarë përmes ndërtimit të një kompleksi rezidencial – katër vila luksoze pranë Kievit, secila me sipërfaqe rreth 1.000 metra katrorë.
Sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare Antikorrupsion të Ukrainës (NABU) dhe Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SAPO), shtëpitë dyshohet se ishin destinuar për:
ish-zëvendëskryeministrin Oleksiy Chernyshov,
biznesmenin Timur Mindich,
ish-shefin e zyrës presidenciale Andriy Yermak.
Të tre, së bashku me katër persona të tjerë, janë të akuzuar në këtë rast.
E njëjta grup njerëzish është nën hetim edhe në një çështje prej 100 milionë dollarësh, e lidhur me monopolin shtetëror bërthamor Energoatom.
Sipas një burimi policor për Kyiv Independent, të dyshuarit në rastin Energoatom dyshohet se i kanë dhënë para zëvendëskryeministrit Chernyshov për ndërtimin e vilave luksoze pranë Kievit, duke lidhur kështu dy rastet.
Projekti filloi në vitin 2018, kur Chernyshov u bë bashkëthemelues i kompanisë Bloom Development.
Brenda një viti, kompania bleu më shumë se katër hektarë tokë në Kozin, dhe më vonë e zgjeroi pronën.
Para emërimit si guvernator i rajonit të Kievit, Chernyshov transferoi aksionet tek bashkëshortja e tij, e cila formalisht u largua nga biznesi në vitin 2023, ndërsa ai drejtonte kompaninë shtetërore të gazit Naftogaz.
Sipas Byrosë Antikorrupsion, gjatë mandatit si ministër për komunitete dhe territore (2020–2022), Chernyshov dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se nënvlerësuan parcelat e tokës për të favorizuar investitorët në këmbim të ryshfetit.
Ata dyshohet se morën ulje të konsiderueshme në blerjen e banesave, me vlerë mbi 14,5 milionë hrivna (346 mijë dollarë).
Sipas NABU-së, këto veprime i kanë shkaktuar Ukrainës një dëm prej rreth 1 miliard hrivna (24 milionë dollarë).
Hetuesit pretendojnë se në të njëjtën periudhë, Chernyshov ndihmoi në nisjen e projektit të vilave luksoze që tani ndodhet në qendër të hetimit.
Ideja mori formë në vitin 2020, kur në projekt u përfshinë Mindich dhe më pas Yermak.
Sipas byrosë, projektet ishin fshehur me emërtime koduese:
R1
R2
R3
R4
në mënyrë që të fshiheshin pronarët realë.
Gjithashtu ekzistonte edhe një rezidencë e përbashkët me kodin R0, e planifikuar për:
spa,
pishinë,
palestër.
Sipas të dhënave antikorrupsion, i gjithë kompleksi shtrihej në më shumë se 8 hektarë dhe mund të vlente mbi 6 milionë dollarë, megjithëse prokuroria thotë se vlera reale ende nuk është përcaktuar.
Faza aktive e ndërtimit filloi në maj 2020, gjatë kohës që Chernyshov ishte ministër dhe u përshpejtua pas pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Në një mesazh të publikuar nga NABU, Chernyshov thuhet se i shkruante bashkëshortes më 29 mars:
“Kam thënë që të fillojmë ngadalë përsëri punën. Duhet të vazhdojmë disi. Dritaret, kulmi dhe tjegullat duhet të mbërrijnë së shpejti… gjithçka ishte porositur tashmë.”
NABU publikoi gjithashtu komunikime që tregojnë se Yermak, i lidhur me shtëpinë R2, më 16 shkurt 2022, vetëm disa ditë para pushtimit rus, diskutonte me dizajnerin për ecurinë e punimeve.
Për shkak të frikës se skema mund të zbulohej, Mindich thuhet se vendosi të ndalojë ndërtimin në korrik 2025, menjëherë pasi Chernyshov u akuzua zyrtarisht.
Po atë muaj, administrata e Zelenskyt ndërmori hapa që kritikët i interpretuan si kufizim të pavarësisë së institucioneve antikorrupsion – pikërisht atyre që tani po hetojnë këtë rast.
Gjykata e Lartë Antikorrupsion e Ukrainës ka sekuestruar:
parcelat,
pesë objektet e papërfunduara.
Sipas hetimeve, financimi i projektit është bërë në dy mënyra.
Persona të lidhur me Chernyshovin krijuan kooperativën banesore “Soniachnyi Bereh” (Bregu me Diell), e cila mblodhi një pjesë të fondeve.
Po të njëjtët persona dyshohet se merrnin para përmes:
kompanive fiktive,
kompanive farmaceutike.
Kjo mbulonte rreth 10% të financimit.
Pjesa më e madhe e fondeve, sipas prokurorisë, vinte nga burime ilegale dhe shpërndahej përmes pagesave në para për punëtorët.
Prokurorët pretendojnë se:
72% e financimit vinte nga aktivitete kriminale.
Hetuesit thonë se mbi 460 milionë hrivna (8,9 milionë dollarë) të investuara në projekt vinin nga një skemë korrupsioni e lidhur me Energoatomin.
Sipas byrosë, zyrtarë të lartë të Energoatomit merrnin 10–15% ryshfet nga kontraktorët, në këmbim të ruajtjes së statusit të tyre si furnizues.
Këto para më pas dyshohet se janë investuar në ndërtimin e kompleksit luksoz.
Hetuesit ende nuk kanë zbuluar për kë ishte planifikuar shtëpia e katërt (R1).
Në fund të prillit, Ukrainska Pravda publikoi transkripte të rrjedhura të një bisede mes Mindich dhe një gruaje të quajtur Natalia, e cila thuhet se ishte e përfshirë në ndërtim.
Sipas mediave, Natalia deklaron se fasadat në projektin e quajtur “Andriy” tashmë ishin përfunduar dhe se gardhi ndante shtëpinë e Mindich nga ajo e quajtur “Vova”, një formë e shkurtër e emrit Volodymyr.
Në bisedë përmendet edhe ardhja e Max Donets, i identifikuar nga gazetarët si shefi i sigurimit personal të Zelenskyt.
Megjithatë, Semen Kryvonos, drejtori i NABU-së, deklaroi më 12 maj se:
Zelensky nuk është i përfshirë në procedurën paraprake penale në këtë rast.
Sipas ligjit ukrainas, presidenti në detyrë gëzon imunitet nga ndjekja penale.










