Kusari-Lila: Kushtetuesja s’mund të na i marrë mandatet me automatizëm, duhet të dalë me informacione shtesë për pasojat

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’ia marrë të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ajo thotë se pas adresimit të presidentes Vjosa Osmani në Kushtetuese, ky institucion duhet të tregojë pasojat juridike në rast që nuk konstituohet Kuvendi deri më 26 korrik, por sipas saj, e drejta e LVV-së si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit për të propozuar kryekuvendarin është e garantuar me aktgjykimin e vitit 2014 të këtij institucioni.

Mundësia më reale sipas saj, nëse s’ka marrëveshje politike për të zgjedhur trupat e legjislativit deri në afatin e paraparë nga Kushtetuesja është de-certifikimi, rrjedhimisht humbja e mandatit të deputetëve të kësaj legjislature.

Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, ditët e fundit ka shtuar zërat mbi mundësinë që Kushtetuesja t’ia marrë të drejtën LVV-së për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, meqë janë bërë katër muaj që prej certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe ende nuk është zgjedhur kryeparlamentari që do t’i hapte rrugë më pas formimit të qeverisë së re.

Mirëpo, në vitin 2014, përmes një aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se partia e parë në zgjedhjet parlamentare gëzon të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, thotë se arsyeja që nuk po përmbyllet konstituimi i Kuvendit nuk ka të bëjë me mungesën e emrit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por me mungesën e kuorumit apo pjesëmarrjes në votim sa i përket votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit.

“Nuk e besoj se mund të jetë një gjykim i tillë, për arsye se do të binte në kundërshtim me një aktgjykim paraprak të vetë Gjykatës Kushtetuese. Do të thotë, Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim ia ka garantuar të drejtën propozuesit për të marrë, gjegjësisht për të propozuar dhe për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit sipas propozimit të partisë së parë apo partisë fituese dhe ky është rasti. Përderisa, arsyeja që nuk po mbyllet seanca konstituive nuk ka të bëjë me mungesë të emrit të propozuar, por ka të bëjë me mungesë të kuorumit apo mospjesëmarrjes në votim. Prandaj, këtu është një kundërthënie e madhe në raport me mënyrën ose formën se si mund gjykata ta interpretojë ose ta marrë të drejtën e partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi”, thekson ajo.

Derisa kanë mbetur edhe dy ditë nga skadimi i afatit të Kushtetueses për konstituim të Kuvendit, Kusari-Lila thotë se është e paqartë se çfarë mund të ndodhë në aspektin e pasojave juridike nëse s’ka zgjedhje të trupave të legjislativit deri më 26 korrik.

Megjithatë, sipas saj, një mundësi reale, nëse s’ka marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit, është edhe decertifikimi apo humbja e mandatit të deputetëve aktualë.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur një afat, i cili ka qenë vështirë të gjendet në cilën dispozitë të Kushtetutës së Republikës është i përcaktuar. Tridhjetëditëshi është në raport me thirrjen e seancës, përderisa këta kanë zhvendosur tridhjetëditëshin në përmbyllje të seancës konstituive. Thënë këtë, edhe humbja e mandatit të deputetit, gjegjësisht vendimi që të ndodhë një gjë e tillë në raport me Kushtetutën apo dispozitat e përcaktuara me Kushtetutë, nuk parashihet në moskonstituim të Kuvendit…Mund të jetë, po kjo prapë duhet të vijë si interpretim i Gjykatës Kushtetuese, domethënë ne nuk mund tani të parashohim që me automatizëm ne decertifikohemi ose na merret mandati, vetëm se nuk është respektuar ai afat. Do të thotë, duhet tashmë prapë Gjykata Kushtetuese të dalë me një informacion shtesë mbi pasojat në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda tridhjetë ditëve sipas aktgjykimit të tyre të parë”, thekson Kusari-Lila.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Deputetët e zgjedhur të premten më 25 korrik, do të tentojnë për herë të 52-të të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë.

Deputetja, partia e së cilës është në koalicion qeverisës me LVV-në, flet për KosovaPress edhe sa i përket sigurisë kombëtare dhe retorikës agresive të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës.

Sipas saj, qëllimi i Vuçiqit është që t’i bëjë serbët të ndihen të pasigurt në Kosovë dhe të ngjallë ndjenjën e mosbesimit ndaj institucioneve.

Një gjë e tillë, ajo deklaron se u shpërfaq edhe në rastin e vizitës së zyrtarit serb, Igor Popoviq në Komunën e Rahovecit, me ç’rast u arrestua për shkak të gjuhës së rëndë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përkitazi me këtë, Kusari-Lila kërkon një unifikim më të madh të spektrit politik në Kosovë kur bëhet fjalë për kërcënimet nga Serbia, e jo sipas saj të përdoret “cinizmi dhe ironia”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi