Kurti: Serbia nuk e ka përmbushur marrëveshjen për dokumentacionin kadastral

Kurti: Serbia nuk e ka përmbushur marrëveshjen për dokumentacionin kadastral

-“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011”, theksoi kryeministri Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ende nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së bërë në vitin 2011 dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian (BE).

Kryeministri Kurti këtë çështje e ka ngritur gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përmbyllëse të projektit “PIAKOS”, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim (ATRC) dhe Banka Botërore, ku ka folur për të drejtën e pronës, reformat në kadastër dhe mbështetjen për qytetarët.

Kurti ka ritheksuar se Serbia nuk e ka përmbushur obligimin për dorëzimin e dokumentacionit kadastral, ndonëse marrëveshja për këtë çështje është nënshkruar në vitin 2011, në Bruksel.

“Natyrisht që është sfidë e veçantë, për këtë tendencë mbetet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që BE u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata nuk na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se lëre më origjinalin”, ka theksuar ai.

Kurti ka theksuar se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike dhe mirëqenien e familjeve.

“Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje”, ka deklaruar Kurti.

Marrëveshja për dokumentacionin kadastral u arrit në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Qëllimi ishte kthimi i dokumentacionit kadastral që ishte larguar nga Kosova në vitin 1999, gjatë luftës, dhe që mbahej në Serbi.

Dokumentet janë të rëndësishme për vërtetimin e pronësisë mbi tokën, shtëpitë dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, si dhe për zgjidhjen e mospërputhjeve ndërmjet regjistrave pronësorë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi