“Dy vjet e gjysmë nuk ka ndodhë takim në Bruksel në kuadër të dialogut. Edhe pas 7 qershorit duhet të plotësohen këto kushte si masa të mirëbesimit”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovë, Albin Kurti ka thënë se nuk do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, pa u dorëzuar udhëheqësi i grupit që mori përgjegjësinë e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, fillimisht, dhe pa u tërhequr letra e ish-kryeministres të Serbisë, Ana Bërnabiq, që ia kishte dërguar Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Kurti në një intervistë për një media në Kosovë tha se Beogradi duhet ta dorëzojë Radoiçiqin së bashku me 44 pjesëmarrës të tjerë në sulmin e Banjskës, të cilët vranë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku dhe pastaj të cilët vazhduan me sulme të ngjashme sikurse hedhja në ajër e kanalit të Ibër-Lepencit.
“E para ndodhi në shtator 2023, e dyta në nëntor 2024. Duhet të dorëzohet Radoiçiqi, duhet të tërhiqet letra e Ana Bërnabiqit që ka qenë kryeministre asokohe ku thotë që nuk respektohet integriteti territorial i Kosovës nga ana e Serbisë. Dy vjet e gjysmë nuk ka ndodhë takim në Bruksel në kuadër të dialogut. Edhe pas 7 qershorit duhet të plotësohen këto kushte si masa të mirëbesimit”, ka thënë Kurti.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos ka vizituar të premten Kosovën dhe në takimin me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë ka marrë mesazhin për trajtim meritor të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Në një konferencë për media, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Kos e ka lidhur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me suksesin që shteti mund të ketë në dialogun me Serbinë dhe në zbatimin e reformave, derisa bëri thirrje për stabilitet institucional.












