Kurti: Nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të mbrojtur vetveten

Kurti: Nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të mbrojtur vetveten

“Qeveria e Kosovës e ka dyfishuar buxhetin për ushtrinë në 141.2 milionë euro dhe investimet në armatime janë rritur për 191 për qind”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ka diplomuar gjenerata e 15-të e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu.

Në këtë ceremoni mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe udhëheqës tjerë të institucioneve.

Në ceremoninë ku 15 kadetë pranuan titullin e oficerëve të Republikës dhe të Forcës, kryeministri Kurti e cilësoi zhvillimin e Forcës edhe edukimin ushtarak si një hallkë tejet të rëndësishme e cila u ndërtua mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe që në të ardhmen e afërt do të jetë pjesë e NATO-s.

Ai tha se përgjatë dy viteve të para të qeverisjes, 3.325 ushtarakë janë trajnuar jashtë vendit ndërkohë Kosova ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Letoninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, ndërkaq janë në proces marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Türkiye-n, Jordaninë dhe Kroacinë, e gjitha kjo ka mundësuar që Qendra për Studime Universitare e FSK-së.

Për një Kosovë më të sigurt, Kurti tha se FSK-ja është bërë e hapur për çdo të re e të ri të deri në moshën 25 vjeçare, duke larguar kufizimin në numër të FSK-së dhe rrjedhimisht për dy vite janë rekrutuar 1.240 ushtarë të rinj, derisa në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë aktiv dhe 388 rezervë.

“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten. Për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë e më të barabartë për të gjithë”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se Qeveria e Kosovës e ka dyfishuar buxhetin për ushtrinë në 141.2 milionë euro dhe investimet në armatime janë rritur për 191 për qind.

Mirënjohje dhe përgëzime, kryeministri ndau edhe për gjenerallejtënant Jashari, oficerë dhe nënoficerë të Qendrës për Studime Universitare dhe Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, për diplomimin e kësaj gjenerate dhe për avancimin e programit të edukimit ushtarak, në përputhje me zhvillimet e reja në fushën e mbrojtjes.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova