Kurti në Bratisllavë: Nuk ia dorëzojmë republikën tonë turmave fashiste

Kurti në Bratisllavë: Nuk ia dorëzojmë republikën tonë turmave fashiste

“Nëse do të kishte një protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do të kishte mirëkuptimin tim. Por jo turmat me shkronjën ‘Z’ që gjuajnë kundër ushtarëve dhe policëve… Kësaj turme fashiste, ne nuk ia dorëzojmë republikën tonë demokratike”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të tërheqë njësitet speciale policore nga komunat në veri në Kosovës, nëse para objekteve të komunave nuk ka protestues të dhunshëm, transmeton Anadolu.

Kryeministri Kurti ka marrë pjesë në punimet e forumit ndërkombëtar të Sigurisë “GLOBSEC 2023” që mbahet në Bratislavë, Sllovaki.

Gjatë fjalimit, Kurti pranoi se kryetarët e komunave nuk kanë legjitimitet të plotë, por theksoi se ata megjithatë janë kryetarë dhe duhet zbatuar ligjet dhe Kushtetuta.

Kurti gjithashtu tha se institucionet ndërkombëtare kanë njohur procesin zgjedhor dhe rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme lokale për katër komunat në veri të vendit.

“Nëse do të kishte një protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do të kishte mirëkuptimin tim. Por jo turmat me shkronjën ‘Z’ që gjuajnë kundër ushtarëve dhe policëve, hedhin granata dhe bërtasin ‘ubij ubij’, që në serbisht do të thotë ‘vrit, vrit’. Kësaj turme fashiste, ne nuk ia dorëzojmë republikën tonë demokratike”, tha Kurti.

Ai tha se shpreson të qetësohet situata në veri dhe të ulet prania e forcave policore kosovare, por u shpreh se kjo nuk do të ndodhë derisa të ketë protestues të dhunshëm.

Kurti tha se disa nga personat e dhunshëm janë policë në Serbi ose pjesëtarë të xhandarmerisë serbe.

Kryeministri i Kosovës gjithashtu theksoi rëndësinë e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), duke shtuar se është në kontakt të vazhdueshëm dhe në koordinim me KFOR-in. Megjithatë, Kurti theksoi se “jo çdoherë pajtohemi për çdo gjë”.

“Jam plotësisht dakord dhe e kuptoj që kemi nevojë për komunikim dhe koordinim (me KFOR-in) dhe këtë po e bëjmë. Por, për këto komuna, unë nuk mund të ulem në zyrën time si kryeministër dhe t’u them kryetarëve të komunave veriore ‘Mos qëndroni në zyrën tuaj’ “, tha Kurti.

Ai u shpreh se kryetarët e mëhershëm të komunave në veri dhanë dorëheqje për ta bërë sistemin jofunksional, duke theksuar se qeveria ka nevojë për funksionalitet minimal me kryetarët legal, edhe pse me legjitimitet të dobët.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse frikësohet apo brengoset nga sanksionet dhe izolimi i mundshëm i Kosovës, Kurti ai u shpreh se “jam i brengosur pothuajse gjatë gjithë kohës, por asnjëherë i frikësuar”.

Kurti tha se veprimet që i bën janë obligimi i tij ligjor si kryeministër i Kosovës.

– Kurti për The Guardian: Deklarata e Blinken-it e padrejtë dhe naive

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të premten përmes një postimi në rrjete sociale lëshoi një qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj kryeministrit kosovar, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte “në kundërshtim me këshillën” e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe kishte “përshkallëzuar tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

Në një deklaratë telefonike për The Guardian, Kurti dje shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë të kryediplomatit amerikan.

“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe e dhimbshme, por në të njëjtën kohë shumë naive”, tha Kurti, duke shtuar, “Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por përfundimisht nuk ishte e dobishme”.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova