Kurti mori pjesë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Domates në Mamushë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Domates, edicioni i 16-të, i cili mbahet tradicionalisht në Komunën e Mamushës.

Në fjalën e tij, ai tha se festivali është dëshmi e shpirtit të banorëve të zellshëm të Mamushës, një komunë relativisht e vogël në përmasë, por shembull bereqeti për bujqësinë e Kosovës.

“Vetëm përmes skemës së granteve fermerët e Mamushës kanë përfituar 7.5 milionë euro. Kjo përkrahje e jona e ka përmirësuar imazhin për bujqësinë e Kosovës dhe ka shtuar vullnetin te fermerët. Përkrahja do të vazhdojë të rritet sepse nevojat dhe kërkesa janë që prodhimet e Kosovës të jenë të mira, të shumta dhe cilësore”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se Mamushën e kemi mbështetur dhe ndihmuar, por këtë do ta bëjmë edhe më shumë sepse Mamusha po punon gjithnjë e më shumë, po prodhon gjithnjë e më shumë, po eksporton gjithnjë e më shumë.

Sipas të dhënave, eksporti i domates në vitin 2021 ka qenë më pak se 73 mijë euro kurse në vitin 2024 ka tejkaluar vlerën prej 11 milionë euro. Kryeministri tha se ky është rezultat i cilësisë së prodhimeve tona dhe i punës e i përkushtimit të fermerëve, ekspertëve dhe përkrahjes së vazhdueshme si të institucioneve tona dhe po ashtu edhe të atyre ndërkombëtare si USAID, TIKA, GIZ, ADA, CARITAS, etj.

“Rritja e mbështetjes, e prodhimit dhe eksportit nënkupton rritje të ekonomisë dhe mirëqenies së fermerit, familjeve të tyre dhe të tjerëve hisedarë në zinxhirin e vlerës. Vetëm gjatë katër viteve të qeverisjes sonë 2021-2024, eksporti i perimeve është rritur për mbi 70%, nga 24 milionë euro sa ishte në periudhën 2017-2020, në 41 milionë euro në këto vitet e fundit”, u shpreh më tej ai.

Kryeministri në detyrë Kurti i përgëzoi fermerët për punën e palodhshme që bëjnë, dhe ua uroj të gjithëve edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Domates.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi