Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar pas një tubimi me pjesëtarë të mërgatës se: Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur një takim me bashkatdhetarët tanë në kuadër të aktiviteteve verore që na bashkojnë me ata që, ndonëse jetojnë jashtë kufijve të Kosovës, mbeten gjithmonë pjesë jetike e vendit dhe e përpjekjes sonë për zhvillim e përparim.
Në këtë takim të ngrohtë, të pranishëm ishin Kryeministri, Albin Kurti, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kandidati ynë për Kryetar të ardhshëm të Prishtinës, Hajrulla Çeku.
Ministri Çeku theksoi rëndësinë jetike të kontributit të mërgatës për Kosovën dhe për Lëvizjen, duke thënë: “Kosova e jonë është sot më e mirë, para së gjithash për shkak të juve dhe kontributit tuaj. Por Lëvizja jonë sot është më e fuqishme se kurrë, para së gjithash për shkak të angazhimit që keni dhënë dhe vazhdoni ta jepni.”
Ai shtoi se qeverisja Kurti ka sjellë ndryshime të prekshme që vetëm një forcë politike si VETËVENDOSJE! ka mundur t’i bëjë, dhe se tani ka ardhur koha që këto ndryshime të ndodhin edhe në Prishtinë, në nivel lokal: “Unë do të jem bartës i këtij ndryshimi me mbështetjen e të gjithëve ju, dhe me mbështetjen e Kryeministrit Kurti.”
Kryeministri Kurti vlerësoi lidhjen e pandashme të mërgimtarëve me vendin, duke theksuar se:“Ju nuk jeni këtu vetëm fizikisht për disa javë pushimi. Ju jeni këtu gjatë tërë vitit – përmes kapitalit që sillni, përmes ideve që ndani, përmes energjisë që i jepni vendit tuaj sa herë ktheheni.”
Ai theksoi gjithashtu rolin politik dhe transformues të mërgatës në ndërtimin e një Kosove më të drejtë dhe më të zhvilluar: “Me votën nga mërgata u japim komunave njerëz të përkushtuar e të ndershëm dhe njëkohësisht i largojmë klanet dhe individët të cilët i shohin komunat si pronë të tyre personale.”
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë një moment kyç për ta shtrirë qeverisjen e mirë edhe në nivelin komunal. Pikërisht në këtë proces, mërgata ka rol vendimtar: jo vetëm për të votuar vetë, por për të qenë forca shtytëse e mobilizimit të gjerë.
Prandaj, ju ftojmë që: Të regjistroheni për të votuar nga jashtë. Të ftoni miqtë, familjarët dhe shoqërinë tuaj që të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe të angazhoheni në këtë fushatë për të ndihmuar ndryshimin që na duhet në çdo komunë.
Mërgata ka qenë gjithmonë shtyllë e fuqishme e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe frymëzim për organizatën tonë kudo. Edhe kësaj radhe, me përkushtimin dhe angazhimin tuaj, ndryshimi lokal është i mundshëm dhe i afërt.