Kurti: Forcat e shumta serbe pranë kufirit, reaksion ndaj “Defender Europe 2025”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se rritja e gatishmërisë së ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën është reagim ndaj ushtrimit ushtarak “Defender Europe 2025”, nikoqire e të cilit është edhe Kosova.

“Rritja e gatishmërisë dhe e pranisë në kufirin tonë e forcave të armatosura të Serbisë, besojmë se është reaksion ndaj Defender Europe 2025. Por ajo që nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vet Serbia a po ia ka kërkuar Rusia”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.

Ai gjithashtu ka folur për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë stërvitje, duke theksuar se institucionet vendore po tregojnë aftësi në organizimin e ngjarjeve të ndërlikuara në territorin e vendit.

“Defender Europe 2025” cilësohet si stërvitja më e madhe shumëkombëshe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Ky operacion, që udhëhiqet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, përfshin rreth 25 mijë pjesëtarë të forcave ushtarake nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pjesë e këtij ushtrimi, ku bashkëpunon me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse në aktivitete që simulojnë operacione mbrojtëse, sulmuese dhe të ruajtjes së stabilitetit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi