Delegacioni evropian dhe ai amerikan për herë të parë në një takim në Washington kishin një qëndrim të përbashkët për çështjet kyçe të përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa çështja e garancive të sigurisë dhe shpalljes së armëpushimit mbetet pikë mosmarrëveshjeje.
Takimi trepalësh i djeshëm i zyrtarëve evropianë, Donald Trumpit dhe Volodimir Zelenskit solli disa rrethana të reja në kërkimin e një zgjidhjeje paqësore.
Në planin vizual, që tashmë është bërë më i rëndësishëm se ç’duhet, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, në krahasim me takimin e parë në Washington, këtë herë mbante kostum.
Delegacionin evropian e përbënin sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti finlandez Alexander Stubb.
Sipas deklaratave të zyrtarëve evropianë, qëllimi kryesor u arrit, e ai ishte vendimi i SHBA-ve për t’u angazhuar në shpërndarjen e forcave paqeruajtëse në Ukrainë.
Një sukses tjetër i rëndësishëm ishte vendimi i “Koalicionit të vullnetarëve” për të vazhduar ndihmën ushtarake për Ukrainën me paketa të reja armatimesh. Këto marrëveshje do të financohen kryesisht nga shtetet evropiane që do të blejnë armë amerikane për nevojat ukrainase.
Suksesi i tretë dhe përfundimtar i takimit të djeshëm në Washington ishte qëndrimi i përbashkët i delegacionit amerikan dhe atij evropian se Vladimir Putin dhe Volodimir Zelenski duhet të takohen tête-à-tête. Edhe pse Trump siguron se Putini do të pranojë bisedime direkte, zyrtarët evropianë besojnë se Moska është e gatshme për një lëvizje të re për të shmangur një takim të tillë.
Këtij takimi i kundërshtohet edhe nga dekreti i presidentit ukrainas Zelenski i tetorit 2022, me të cilin ndalohen bisedimet me Putinin.
Megjithatë, problemi më i madh është koha, e cila nuk punon aspak në favor të Ukrainës që prej fillimit të vitit ka humbur iniciativën në front.
Një tjetër problem është qasja amerikane që lufta duhet të ndërpritet menjëherë, pa një armëpushim paraprak që do t’i përgatiste palët ndërluftuese për stabilizimin e vijave të frontit.
Pa armëpushim me garanci
Ushtria ukrainase me përpjekje të mëdha ende po zhvillon me sukses një operacion mbrojtës strategjik në lindje, në rajonet Donbas dhe Lugansk. Por pyetja është: deri kur?
Në Pokrovsk, ushtria ukrainase, duke dërguar korpusin elitar Azov, arriti të mbyllë një zbrazëtirë në mbrojtje dhe t’i shkaktojë humbje të mëdha ushtrisë ruse. Por rënia e Çasov Jarit dhe situata gjithnjë e më e rëndë në Kupjansk e kanë vështirësuar mbrojtjen e Donbasit, i cili tani është shpallur zyrtarisht objektivi kryesor i operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm rus.
Liderët evropianë janë të mendimit se duhet shpallur një armëpushim 30-ditor që do ta ruante gjendjen aktuale dhe do të pengonte përparimin rus gjatë kohës që Perëndimi bisedon me Zelenskin.
Kjo çështje u ngrit edhe dje, me kancelarin gjerman Merz në krye të atyre që kërkojnë sanksione sekondare ndaj naftës ruse nëse Moska refuzon armëpushimin 30-ditor.
Nga ana tjetër, Trump mbetet i vendosur se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt, por pa shpallur fillimisht një armëpushim paraprak për stabilizimin e frontit.
Zelenski gjithashtu theksoi se mekanizmi i garancive të sigurisë, i cili do t’i siguronte Ukrainës ndihmë dhe mbështetje ushtarake, duhet të bazohet në procedura të qarta.
Ai kujtoi Marrëveshjen e Budapestit, me të cilën Ukraina, në këmbim të garancive të sigurisë, dorëzoi rreth 4.000 koka bërthamore.
Edhe nëse Ukraina pranon paqen që do t’i pamundësonte anëtarësimin në NATO, qëllimi është të krijohet një paketë e tillë marrëveshjesh mbrojtëse bilaterale dhe multilaterale, sa që kostoja e një agresioni të ri të bëhet tepër e lartë.