Kur fotografia flet 1.000 fjalë: Shtëpia e Bardhë para dhe pas Trumpit pasqyron më së miri Amerikën e sotme

Kthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë solli ndryshime radikale në pamjen e Zyrës Ovale. Tradicionalisht, çdo president amerikan sjell detaje personale dhe ndryshime të lehta në enterier, por Trump shkoi një hap më tej – duke e transformuar zyrën më të famshme të botës në një hapësirë ku dominojnë ari, luksi dhe dekorime në stilin e tij të njohur.

Zyra Ovale e Bidenit: e thjeshtë dhe simbolike

Gjatë mandatit të Joe Biden, Zyra Ovale kishte një pamje më të thjeshtë. Muret i zbukuronin portretet e George Washington, Abraham Lincoln, Thomas Jefferson, Alexander Hamilton dhe Franklin D. Roosevelt. Biden dëshironte të theksonte simbolikën e mendimeve të ndryshme politike, duke vendosur përballë njëri-tjetrit portretet e Jeffersonit dhe Hamiltonit.

Në qendër të dhomës ndodhej një qilim ngjyrë blu të errët me stemën presidenciale, i dizajnuar në kohën e Bill Clintonit. Flamujt ishin vetëm dy – ai amerikan dhe flamuri me stemën presidenciale – ndërsa tavani nuk kishte dekorime shtesë.

Trump: ari, simbole ushtarake dhe luks i theksuar

Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump e rregulloi Zyrën Ovale sipas shijes së tij për glamur dhe madhështi. Qilimin blu të Bidenit e zëvendësoi me atë të Ronald Reagan, me rreze dielli dhe simbol paqeje. Muret u mbushën me portrete të reja në korniza masive me ar dekorativ. Në vend të Roosevelt, u vendos portreti i George Washington.

Kamina u zbukurua me urna të arta dhe objekte dekorative nga koleksioni i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa tavani u stolis me ornamente të arta dhe stemën presidenciale të theksuar. Trump shtoi edhe flamujt e degëve të ushtrisë amerikane – të Armatës, Marinsave dhe Marinës – për të theksuar fuqinë ushtarake të SHBA.

Nga Obama tek Trump: mesazhi politik përmes imazheve

Biden kishte vendosur në hyrje portretin zyrtar të Barack Obamës, të zbuluar më 2023. Trump e hoqi dhe e zëvendësoi me një tablo të vetes së tij – momentin pas atentatit në Butler, Pennsylvania, kur u largua nga skena me grushtin e ngritur. Një mesazh i qartë për narrativën e tij politike dhe simbolikën e mbijetesës.

Ndryshimet prekën edhe ambientet e tjera: Trump hoqi barin nga Rose Garden dhe e zëvendësoi me një tarracë të shtruar me pllaka, duke argumentuar se bari shkatërrohej shpejt në evente të mëdha dhe krijonte probleme për mysafiret me taka të larta.

Projekti më i madh: salla e re e vallëzimit në krahun lindor

Trump njoftoi gjithashtu ndërtimin e një salle të madhe shtetërore të vallëzimit në Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë, me kapacitet për 650 mysafirë. Projekti, i vlerësuar në 200 milionë dollarë, do të financohet nga vetë presidenti dhe donatorë që administrata i quan “patriotë”.

Kritika dhe mbështetje

Detajet e arta, perdet e rënda, kornizat luksoze dhe elementet personale – madje edhe mbështjellës gotash me emrin e tij – tregojnë qartë se Trump e ka kthyer Zyrën Ovale në një hapësirë që reflekton personalitetin dhe stilin e tij politik.
Kritikët e përshkruajnë këtë transformim si teatror dhe kitch, ndërsa përkrahësit thonë se presidenti po rikthen “krenarinë dhe madhështinë” në Shtëpinë e Bardhë.

 

Kategoritë
BotaLajme