Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë vizitës së tij në Uashington i tha presidentit amerikan Donald Trump se Tel Avivi mund të ndërmarrë sërish sulme ushtarake ndaj Iranit, raporton Wall Street Journal.
Së ulur përballë Netanyahut të hënën në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se shpresonte të mos kishte më bombardime amerikane mbi Iranin.
“Nuk mund ta imagjinoj që do të doja ta bëja përsëri,” tha ai.
Më vonë, privat, Netanyahu i shpjegoi Trumpit se Izraeli do të kryente sulme të mëtejshme nëse Irani vazhdon përparimin drejt armëve bërthamore. Trump u shpreh se preferonte një zgjidhje diplomatike me Teheranin, por nuk kundërshtoi planin ushtarak izraelit.
Burimet e larta amerikane e izraelite të intervistuara nga WSJ thanë se bisedat nxorën në pah dilemat e secilës palë pas sulmeve të këtij muaji të Izraelit dhe SHBA-së mbi objektet bërthamore iraniane.
“Trump mbështetet te kërcënimi i sulmeve të reja për t’i bërë presion Teheranit drejt një marrëveshjeje që do ta ndalonte nga ndërtimi i armëve bërthamore. Izraeli dyshon se diplomacia do ta ndalë fshehtësisht Iranin të arrijë armët bërthamore. Ndërkaq, Teherani kërkon garanci se nuk do të goditet përsëri me bomba që të vazhdojë bisedimet me Uashingtonin,” shkruan WSJ.
Një zyrtar i lartë izraelit tha se Izraeli nuk do të kërkonte patjetër miratim të qartë amerikan për sulme të reja mbi Iranin, por nëse Teherani bën një përpjekje të rëndësishme për të rindërtuar programin bërthamor, Netanyahu mund të ndeshet me rezistencë nga Trumpi, në përpjekje për të mbajtur gjallë kanalin diplomatik.