Kuba ka siguruar të paktën 300 dronë nga Irani dhe Rusia, të gatshëm për t’i përdorur në sulme ndaj bazës dhe anijeve amerikane

Mediumi amerikan Axios ka raportuar se Kuba posedon më shumë se 300 dronë ushtarakë dhe se është diskutuar përdorimi i mundshëm i tyre për sulme ndaj bazës amerikane në Gjirin e Guantanamos, anijeve amerikane në Karaibe dhe pikës më jugore të territorit kontinental të SHBA-së.

Sipas raportit, Kuba që nga viti 2023 po furnizohet me dronë sulmues nga Irani dhe Rusia. Shërbimet amerikane thuhet se besojnë se inteligjenca kubane ka tentuar të studiojë mënyrën se si Irani i është kundërvënë SHBA-së gjatë konflikteve të mëparshme.

Axios gjithashtu shkruan, duke iu referuar të dhënave të inteligjencës amerikane, se këshilltarë ushtarakë iranianë kanë qëndruar së fundmi në Havana.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se shqetësues është fakti që një teknologji e tillë ndodhet pranë SHBA-së, veçanërisht për shkak të lidhjeve të Kubës me Iranin, Rusinë dhe aktorë të tjerë që Washingtoni i konsideron kërcënim.

Në raport thuhet gjithashtu se Rusia dhe Kina dyshohet se kanë objekte spiunazhi në Kubë për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës.

Zyrtarët amerikanë, ndër të tjera, vlerësojnë se rreth 5 mijë ushtarë kubanë kanë luftuar në anën e Rusisë në luftën në Ukrainë. Thuhet se disa prej tyre, pas kthimit, kanë sjellë përvoja mbi përdorimin e dronëve dhe mënyrën moderne të luftimit.

Kuba po përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe energjetike. Rrjeti elektrik i vendit ditët e fundit ka pësuar kolaps të pjesshëm, ndërsa pjesë të mëdha të ishullit mbeten pa energji elektrike deri në 20 orë në ditë.

Situata është përkeqësuar më tej pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me sanksione shtetet që furnizojnë Kubën me karburant. Pas kësaj, sipas raportit, Venezuela dhe Meksika kanë ulur dërgesat e naftës.

Trump më herët kishte deklaruar se pret “kolapsin” e pushtetit kuban dhe kishte theksuar se SHBA-ja dëshiron ndryshime në qeverinë komuniste.

Drejtori i CIA-s John Ratcliffe gjatë një vizite të fundit në Havana thuhet se ka përcjellë mesazhin se Washingtoni do të bashkëpunojë me Kubën vetëm nëse autoritetet zbatojnë “ndryshime fundamentale”.

Ndërkohë, Ministria amerikane e Drejtësisë planifikon të hapë aktakuzë kundër Raúl Castro për përfshirje të dyshuar në sulmin e vitit 1996 ndaj një grupi humanitar.

Zyrtarët amerikanë kanë përsëritur për Axios se Kuba nuk ka fuqinë ushtarake që kishte gjatë vitit 1962, por paralajmërojnë se afërsia e saj me SHBA-në dhe bashkëpunimi me Rusinë dhe Iranin po shkaktojnë shqetësim në Washington.

Kategoritë
BotaLajme