Tucker Carlson, komentatori konservator dhe ish-prezantuesi i Fox News, i cili gjatë vitit 2026 hoqi dorë nga mbështetja për presidentin amerikan Donald Trump dhe kritikoi ndikimin e Izraelit në politikën e jashtme amerikane, pranoi se deklaratat e tij shumëvjeçare kundër myslimanëve kishin qenë të gabuara.
“Shumë herë kam thënë në televizion: ‘Problemi është Islami. Problemi janë myslimanët. Të gjithë duan të na vrasin. Të gjithë janë të çmendur. Të gjithë janë pjesë e këtij kulti të çmendur vetëvrasës, të krijuar në shekullin e VII nga Muhamedi’. Dhe unë e besoja këtë. Isha histerik. Vërtet e besoja. Tani e di se kjo nuk është e vërtetë. Asgjë nga kjo nuk është e saktë, por atëherë e besoja”, tha Carlson në një intervistë për Sky News.
Carlson gjithashtu tha se edhe pikëpamja e tij për Izraelin ka ndryshuar.
“Izraeli ka ndryshuar plotësisht. Më vjen keq për Izraelin. Por Izraeli që kam vizituar për herë të parë disa dekada më parë nuk ka asnjë ngjashmëri me Izraelin e sotëm”, vazhdoi ai.
Kjo kthesë është e fundit në një seri ndryshimesh të rëndësishme ideologjike të tij. Carlson gjatë vitit 2026 publikisht tërhoqi mbështetjen për Trumpin dhe kërkoi falje që, siç tha ai, “i kishte çuar njerëzit në keqkuptim” për ta mbështetur atë, ndërsa para disa ditësh njoftoi se nuk është më anëtar i Partisë Republikane.
Deklaratat e mëparshme të Carlsonit për Islamin dhe myslimanët kanë qenë të shumta dhe, siç e pranoi vetë të enjten, të gabuara. Gjatë viteve të kaluara në Fox News, ai shpesh sulmonte myslimanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën.
Në emisionin e tij ai kishte ftuar Ayaan Hirsi Ali, kritike e njohur e Islamit, në një segment ku ajo kritikonte përpjekjet e presidentit Biden për të fituar votuesit myslimanë, duke i quajtur ato “lajka” politike. Ajo gjithashtu kishte mohuar se ndalimi i udhëtimit nga Trump ishte drejtuar kundër myslimanëve dhe kishte pretenduar se Biden po i bënte lëshime Vëllazërisë Myslimane.
Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) dhe organizata të tjera për mbrojtjen e të drejtave për vite me radhë i kishin bërë thirrje Fox News që ta shkarkonte Carlsonin për shkak të, siç thonë ata, “historisë së gjatë të retorikës islamofobe, anti-emigrante dhe supremaciste të bardhë”.
Ndërkohë, Carlson ka ndryshuar qëndrim. Në dhjetor të vitit 2025, sulmet ndaj myslimanëve amerikanë i quajti “të neveritshme” dhe pohoi se Islami radikal nuk paraqet kërcënim për Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se frika prej tij vjen nga “qeveria izraelite dhe mbrojtësit e saj të shumtë, si dhe bashkëpunëtorët joformalë në Shtetet e Bashkuara”.
Kritikat gjithnjë e më të ashpra të Carlsonit ndaj Izraelit kanë çuar në akuza për antisemitizëm, të cilat ai i hedh poshtë.
Liga Kundër Shpifjes (ADL) e ka përshkruar atë si një nga promovuesit më të spikatur të stereotipeve antisemite dhe teorive konspirative në mediat kryesore. Në tetor të vitit 2025, Carlson ftoi në emision nacionalistin e bardhë Nick Fuentes, i cili atëherë pretendoi se hebrenjtë janë përgjegjës për shumicën e problemeve të botës.
Kur Carlsonit iu kujtua se Fuentes mohon Holokaustin, ai u përgjigj: “Në rregull, por a është kjo më keq se vrasja e fëmijëve?”
Carlson në prill u përplas edhe me prezantuesen e BBC-së, Victoria Derbyshire, lidhur me akuzat për antisemitizëm, duke thënë: “Sigurisht që nuk jam antisemit dhe pikërisht për këtë më quajnë kështu. Qëndrimi im ndaj Izraelit nuk ka asnjë lidhje me fenë apo prejardhjen etnike të izraelitëve. Ai ka të bëjë plotësisht me vendimet e qeverisë së tyre, të cilat dëmtojnë vendin tim”.
Kthesa e Carlsonit vjen në një moment kur qëndrimet e opinionit publik amerikan ndaj Islamit dhe Izraelit po ndryshojnë ndjeshëm, megjithëse jo domosdoshmërisht në të njëjtin drejtim.
Sipas Indeksit Kombëtar të Islamofobisë të Institutit për Politikë Sociale dhe Mirëkuptim (ISPU), i cili mat pranimin e stereotipeve antimuslimane në publik, indeksi është rritur nga 25 në vitin 2022 në 33 në vitin 2025, ku rritja më e madhe është shënuar te ungjillorët e bardhë, katolikët dhe hebrenjtë.
Megjithatë, dallimet politike mbeten të theksuara. Gjatë vitit 2025, 82 për qind e demokratëve kishin qëndrim pozitiv ndaj myslimanëve, ndërsa te republikanët kjo përqindje ishte vetëm 43 për qind, një rënie krahasuar me 71 për qind në vitin 2021.
Sa i përket Izraelit, ndryshimi është edhe më i theksuar.
Për herë të parë që kur Gallup zhvillon matje vjetore që nga viti 2001, amerikanët nuk shprehin më më shumë simpati për izraelitët sesa për palestinezët.
Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew nga marsi i vitit 2026 tregoi se 60 për qind e të rriturve amerikanë kanë qëndrim negativ ndaj Izraelit, ku ndryshimi është më i theksuar te qytetarët e moshës 18 deri në 49 vjeç, prej të cilëve madje 70 për qind kanë mendim të pafavorshëm.
Mes demokratëve dhe votuesve të pavarur që anojnë nga demokratët, 80 për qind në mars të vitit 2026 kishin qëndrim negativ ndaj Izraelit, krahasuar me 69 për qind një vit më parë dhe 53 për qind në vitin 2022.
Mbështetja për Izraelin te republikanët vazhdon të jetë më e larta në krahasim me grupet e tjera politike, me 69 për qind qëndrime pozitive, por edhe ajo ka rënë me 15 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2025, duke arritur nivelin më të ulët në më shumë se dy dekada.













