“Kemi dëshmuar që jemi popull i vogël, por me zemër të madhe dhe mund të japim shumë”, tha Gaxha.
Pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim janë kthyer në Prishtinë pas disa ditëve qëndrimi në Hatay të Türkiyes, atje ku shkuan për të ndihmuar të prekurit nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit, raporton Anadolu.
Gjashtë pjesëtarët e shoqatës vullnetare u pritën të mëngjesin e sotëm nga familjarët e tyre në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa po ashtu për t’i respektuar për punën humane që bënë në Türkiye në pritjen e tyre mori pjesë edhe ambasadori i ri i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, i cili u ndau dhurata dhe buqeta me lule pjesëtarëve të shoqatës.
“Fillimisht dua t’i falënderoj shumë. Në këtë kohë të vështirë, miku dhe vëllai ynë, Kosova, ka zgjatur dorën e ndihmës. Është një ndihmë shumë e vlefshme, si morale ashtu edhe materiale për ne. Si ekip i kërkim-shpëtimit të Kosovës, ata punuan në terren në kushte shumë të vështira. Ata nxorën të gjallë dy persona, njëri është një fëmijë 3-vjeç. Unë i falënderoj ata. Këtu dera jonë është e hapur për të gjithë ata dhe familjet e tyre”, tha ambasadori Angılı.
Pas përqafimeve dhe takimit me familjarët e tyre, sekretari i shoqatës, Ilir Gaxha, tha se në Türkiye nuk ka pasur “uniformë në botë që nuk ka qenë e pranishme gjatë intervenimeve”.
Gaxha pas arritjes në Prishtinë tha se uron që shoqatës së tyre vullnetare t’u bashkëngjiten të rinj dhe të reja që ta vazhdojnë “këtë mision të shenjtë kudo ku ka nevojë në botë”.
“Kemi dëshmuar që jemi popull i vogël, por me zemër të madhe dhe mund të japim shumë. Jemi krenuar me vendin që e kemi përfaqësuar dhe faleminderit për mbështetjen”, tha Gaxha.
Fanol Shala, pjesëtar i shoqatës, me emocion foli për punën e tyre në Hatay. Ai tha se grupi i tij përpos që ka nxjerrë disa trupa të pajetë nga rrënojat, kanë pasur rastin të asistojnë në shpëtimin e një vajze 26-vjeçare si dhe të shpëtojnë një vajzë 3-vjeçare.
“E kanë marrë një fëmijë dhe e kanë vënë në rrugë për të vdekur, i futur në qese të xhenazeve dhe për një moment një ushtarak i Türkiyes e ka hapur qesen për të parë vetëm për kureshtje se çfarë po ndodh dhe e ka parë një lot të vajzës duke rrjedhë. Gjithë ajo ka bërë që të gjithë të vrapojmë dhe ta mbajmë për 30 minuta, duke falënderuar Mentorin dhe Ilirin që kanë qenë non-stop afër saj dhe derisa ka arritur ambulanca, për fat të mirë pas gjysmë ore na kanë njoftuar se ajo vajzë po jeton”, tha Shala.
Në koordinim me Ambasadën e Türkiyes në Kosovë, pjesëtarët e Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim qëndruan në Hatay nga 9 shkurti.
Sipas shifrave të fundit nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave e Türkiyes (AFAD), numri i të vdekurve nga dy tërmetet e javës së kaluar që goditën pjesën jugore të Türkiyes është rritur në 36.187.
AFAD njoftoi se një personel i kërkim-shpëtimit i përbërë prej 253 mijë personash po punojnë aktualisht në terren, ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes tha se një personel i huaj i përbërë nga gjithsej 7.098 persona nga 24 vende po vazhdojnë aktualisht përpjekjet e tyre në terren.



















