Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, falënderon nga zemra Kryeministrin Kurti për ndarjen e 580 mijë eurove për Shkollën e Muzikës dhe Muzeun e Preshevës

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka falënderuar nga zemra Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të ndajë afro 580 mijë euro për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës.

Sipas Sinanit, ky projekt i kontraktuar nga Komuna e Preshevës nuk është thjesht investim infrastrukturor, por përfaqëson një angazhim të rëndësishëm për zhvillimin arsimor, artistik dhe kulturor të kësaj ane.

“Shkolla e Muzikës do të jetë një hapësirë moderne për edukimin artistik të të rinjve tanë, për koncertet, bashkëpunimet dhe afirmimin e talenteve lokale,” ka theksuar ajo, duke shtuar se Muzeu i Preshevës do të jetë institucioni i parë i këtij lloji në Luginë, një qendër identitare për ruajtjen e historisë dhe trashëgimisë shqiptare.

Sinani e cilësoi këtë vendim si dëshmi konkrete se Lugina e Preshevës mbetet në vëmendje dhe se përkushtimi institucional ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës është i pandërprerë.

Ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kryeministrit Kurti dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional.

“Kjo është rruga drejt barazisë, dinjitetit dhe të drejtës për të qenë të barabartë në kujtesën kombëtare,” ka përfunduar Sinani, duke e mbyllur mesazhin e saj me fjalët: “Me zemër për Preshevën, gjithmonë!”

Kategoritë
LajmeVendi