Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, e ka arsyetuar vendimin e gjyqtarëve që po refuzojnë lirimin nga paraburgimi të krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë me shkrim për gazetën Nacionale, Trendafilova ka thënë se gjyqtarët i analizojnë në mënyrë të hollësishme të gjitha rrethanat para se të vazhdohet paraburgimi.
E pyetur nëse Gjykata Speciale po i shkel praktikat ndërkombëtare se paraburgimi është përjashtim, e jo rregull, Trendafilova ka thënë se kjo nuk qëndron.
“E vërtetë, paraburgimi është përjashtim, dhe ky është rasti edhe me Dhomat e Specializuara. Bazuar në rregullimin ligjor të Dhomave të Specializuara, vendimi për paraburgimi duhet të vlerësohet dhe rishikohet çdo dy muaj. Ky shqyrtim dy-mujor bëhet pas një analize rast pas rasti të rrethanave specifike që qëndrojnë në themel të secilit shqyrtim, dhe arsyeve të hollësishme në përputhje me rrethanat. Gjyqtarët urdhërojnë vazhdimin e paraburgimit nëse ata e vlerësojnë se ekziston rrezik që i pandehuri të arratiset, të pengojë procedurat, apo të kryejë krime të tjera”, tha ajo.
“Fakti se personat nuk po lirohen, bazuar në një analizë kaq komplekse dhe të detajizuar, nuk mund të çojë në përfundimin se paraburgimi është bërë rregull dhe lirimi i përkohshëm përjashtim. Kjo thjeshtë nuk është pasqyrim i saktë i kuadrit ligjor, i cili është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe vendimet gjyqësore që janë marrë nga Dhomat e Specializuara”, tha ajo më tutje.
E para e Dhomave të Specializuara foli gjithashtu edhe për lartësinë e dënimeve nga Dhomat e Specializuara, dhe faktin se ka dyshime që nuk po respektohet Konventa për të Drejtat e Njeriut.
INTERVISTA:
1.Presidente Trendafilova, si një gjyqtare me përvojë, a mund të na sqaroni vendimin për vazhdimin e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit?
1.Si një gjyqtare me përvojë, unë nuk do të komentojë vendimet e gjyqtarëve të tjerë, që janë absolutisht të pavarur në punën e tyre. Vendimet ofrojnë arsyetime të detajizuara, që janë publike dhe të gatshme në websajt për të gjithë që duan t’i analizojnë. Dua të theksoj se sikur në të gjitha sistemet që bazohen në sundimin e ligjit, vendimi mund të sfidohet në një gjykatë më të lartë, kështu që ne duhet të shohim nëse do të ketë apelime për këtë çështje. Siç jeni në dijeni, si Kryetare e Gjykatës, unë udhëheqi në Gjykatën Supreme e cila mund të vendosë për çështjen e paraburgimit nëse vendimet kundërshtohen në atë shkallë.
2.Ju jeni në dijeni se paraburgimi, bazuar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, është një përjashtim. Në rastin e Dhomave të Specializuara duket se është bërë rregull. Pse vazhdon të caktohet paraburgimi si masë, edhe pse Prokuroria ka përfunduar me paraqitjen e dëshmitarëve dhe provave të saj? Te kush mund të ndikojë i akuzuarit, dhe cilat janë ato prova që mund të komprometohen?
2.E vërtetë, paraburgimi është përjashtim, dhe ky është rasti edhe me Dhomat e Specializuara. Bazuar në rregullimin ligjor të Dhomave të Specializuara, vendimi për paraburgimi duhet të vlerësohet dhe rishikohet çdo dy muaj. Ky shqyrtim dy-mujor bëhet pas një analize rast pas rasti të rrethanave specifike që qëndrojnë në themel të secilit shqyrtim, dhe arsyeve të hollësishme në përputhje me rrethanat. Gjyqtarët urdhërojnë vazhdimin e paraburgimit nëse ata e vlerësojnë se ekziston rrezik që i pandehuri të arratiset, të pengojë procedurat, apo të kryejë krime të tjera. Ata gjithashtu shqyrtojnë nëse ndonjë masë alternative e mundshme, përveç paraburgimit, mund t’i zbusë këto rreziqe. Së fundmi, të pandehurit kanë të drejtë të kundërshtojnë çdo vendim të tillë për paraburgim para një Paneli të Apelit dhe në rrethana të caktuara, para instancave më të larta.
Fakti se personat nuk po lirohen, bazuar në një analizë kaq komplekse dhe të detajizuar, nuk mund të çojë në përfundimin se paraburgimi është bërë rregull dhe lirimi i përkohshëm përjashtim. Kjo thjeshtë nuk është pasqyrim i saktë i kuadrit ligjor, i cili është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe vendimet gjyqësore që janë marrë nga Dhomat e Specializuara.
Për më tepër, dhe siç është përmendur, vendime të tilla mund të kundërshtohen përpara paneleve të ndryshme të pavarura. Ky është një proces i plotë dhe i hollësishëm, gjatë të cilit gjyqtarët e këtyre paneleve marrin në konsideratë rrethanat specifike të çështjes. Sa i përket arsyeve të dhëna deri më tani nga panelet, gjyqtarët kanë vlerësuar se ekzistojnë ende rreziqe që personat e akuzuar mund të pengojnë përparimin e procedurave ose të kryejnë vepra të tjera penale.
Gjithashtu, vlen të theksohet se ka pasur dhe vazhdojnë të ketë disa raste përpara Dhomave të Specializuara që kanë provuar ose pretendojnë vepra penale për pengim të drejtësisë kundër gjithsej 11 personave, përfshirë tre të akuzuar që kanë pranuar fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe janë dënuar përkatësisht për këtë. Panelet kanë theksuar vazhdimisht një klimë të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë. Kjo është një realitet dhe nuk mund të injorohet. Së fundi, dëshiroj të kujtoj se një person është liruar me kusht në të kaluarën dhe se një i akuzuar tjetër është subjekt i thirrjes për t’u paraqitur dhe jo i paraburgimit.
3.Rreziku i arratisjes është rrëzuar në disa vendime nga gjyqtarët. Rreziku i përsëritjes së veprës penale është i pamundur. Sa i përket rrezikut të ndikimit të dëshmitarëve dhe dëmtimit të provave, Prokuroria ka përfunduar me to. Cila mund të jetë arsyeja që tash ekziston për vazhdimin e paraburgimit?
3. Siç është përmendur tashmë, do t’ju referoja te arsyet specifike të paraqitura në vendime, veçanërisht te vlerësimet lidhur me ndërhyrjen ndaj dëshmitarëve. Këtu, Paneli theksoi se dëshmitarë të tjerë të rëndësishëm për procedurat mund të jenë objekt i ndërhyrjes ose hakmarrjes. Do të ishte tepër e thjeshtë të përfundohej se ndërhyrja ndaj dëshmitarëve nuk është më e mundur faktikisht sapo përfundon paraqitja e çështjes nga prokuroria. Kjo varet nga rrethanat individuale që gjyqtarët duhet t’i vlerësojnë.
4.Në anën tjetër, deri më tash, nuk ka pasur asnjë lehtësim të masave në Qendrën e Paraburgimit. Pse?
4. Kushtet në Qendrën e Paraburgimit monitorohen rregullit dhe plotësisht nga Kryqi i Kuq dhe Avokati i Popullit për t’u siguruar se po respektohen të gjitha standardet më të larta për të gjithë të paraburgosurit. Ata kanë munëdsi të socializohen, luajnë sporte të ndryshme, të gatuajnë nëse dëshirojnë, dhe të merren me aktivitete artistike dhe recreative. Ata kanë 10 vizita me të afërm e shokë çdo muaj dhe vizita private me bashkëshortët dhe fëmijët jashtë vëzhgimit të oficerëve të paraburgimit, si dhe thirrje telefonike gjatë gjithë muajit. Për tre nga të paraburgosurit u vendosën masa shtesë si monitorimi i vizitave jo të privilegjuara nga ana e gjyqtarëve, pasi provat e paraqitura nga Prokuroria tregonin se të paraburgosurit po u zbulonin informacione konfidenciale nga procesi gjyqësor.
5.Si e komenton faktin që Prokuroria e Specializuar e Hagës ka kritikuar Policinë e Kosovës, edhe pse Policia është partner i Dhomave në shumë vizita, apo zbatimin e vendimeve?
5. Unë nuk komentoj asgjë që ka thënë Prokuroria. Siç e dini, Prokuroria dhe Gjykata janë dy institucione të ndara dhe të pavarura. Si rezultat, unë nuk komentoj asgjë që ka të bëjë me organizimin, administrimin, politikat dhe strategjitë e funksionimit të Prokurorisë.
6.Një pyetje për dënimet. Ne kemi pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Salih Mustafës. A mund t’ia sqaroni shkurtimisht këtë audiencës në Kosovë?
6.Përsëri, vendimet i sqarojnë më së miri këto, dhe ato janë publike në faqen e Gjykatës Speciale. Megjithatë, shkurtimisht, z.Mustafa u ankua në Gjykatën Kushtetuese bazuar në atë se Gjykata Supreme ka dështuar ta zbatojë ligjin më të butë të Kosovës në dënimin e tij, duke përjashtuar ligjin që kishte qenë i zbatuar në kohën kur ishin kryer veprat penale. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese kujtoi se sipas nenit 162 (1) të Kushtetutës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në përputhje me kuadrin e tyre ligjor brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës. Si rrjedhojë, të drejtat dhe lirirë themelore të garantuara nga Kapitulli II i Kushtetutës, zbatohen në lidhje me atë kuadër të pavarur.
Gjithashtu, Dhoma konstatoi se i vetmi ligj që ka fuqi detyruese për dënimet para Dhomave të Specializuara është Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili nuk kërkon nga dhomat penale që të zbatojnë ligjet të tjera të Kosovës kur vendosin për dënimet për krime, por vetëm që t’i marrin në konsideratë. Prandaj, ajo vendosi se z.Mustafa nuk mund të pretendonte me sukses një shkelje të Kushteuttës së Kosovës apo Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Rasti i Mustafës tregon mjaft qartë se si vendimet mund të kundërshtohen përpara paneleve të ndryshme të Dhomave të Specializuara, në përputhje me kuadrin e tyre ligjor, plotësisht në harmoni me standardet universale për rishikimin e vendimeve gjyqësore. Z. Mustafa i ka shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike dhe fazat e rishikimit, duke apeluar më shumë se një herë përpara Paneleve të Apelit, Dhomës së Gjykatës Supreme dhe Dhomës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara. Sistemi i rishikimit gjyqësor i Dhomave të Specializuara pasqyron sistemin juridik të Kosovës dhe atë të të gjitha sistemeve demokratike ligjore, ku pavarësia e gjyqësorit vlerësohet, respektohet dhe mbrohet. Jurisprudenca e Dhomave të Specializuara tregon se sistemi i rishikimit gjyqësor funksionon mirë.
7. Bazuar në Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, asnjë person nuk mund të dënohet më ashpër se ligji që ka qenë në fuqi kur është kryer vepra penale. Ky parim është ndërkombëtar, dhe i zbatueshëm edhe sot. Pse Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk vendosin bazuar në këtë parim?
7.Besoj se ju po i referoheni Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, që apikohet nga Dhomat e Specializara dhe parimi i ligjit më të butë është marrë në konsideratë dhe është zbatuar nga Gjykata Kushtetuese. Gjithashtu, do t’ua kujtoja se dënimi prej 15 vjtetësh i z.Mustafa nuk është më i lartë se dënimi për të cilin ai vetë ka avokuar.
8.Të dyjat, Gjykata Kushtetuese, sipas së cilës Dhomat e Specializuara janë të krijuara, dhe Ligji për Dhomat e Specializuara, e theksojnë parimin e Konventës për të Drejtat e Njeriut. Pse, presidente Trendafilova, Gjykata Speciale ndryshon nga këto parime?
8. Siç shpjegova më sipër, Ligji i Dhomave të Specializuara është plotësisht në përputhje me këto parime. Nëse një i akuzuar nuk pajtohet me një vendim apo gjykim, ai mund të apelojë në instancën më të lartë ose të ankohet në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, dhe një panel krejtësisht i ri i gjyqtarëve ndërkombëtarë do të rishikojë çështjen dhe do të vendosë nëse paneli i mëparshëm ka bërë gabim apo jo në konkluzionet e tij.
9. Më 18 korrik 2013, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Maktouf dhe Damjanović gjeti se gjykata në Bosnje nuk kishte respektuar parimin e Konventës lidhur me ligjin më të favorshëm, dhe e gjithë struktura e dënimeve aty u ndryshua. Pse nuk respektohen precedentët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Dhomat Speciale të Kosovës?
9. Vendimi në rastin Maktouf dhe Damjanović kundër Bosnjës dhe Hercegovinës nuk ishte i vetmi rast i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që u shqyrtua në rastin Mustafa para Dhomave të Specializuara të Kosovës (KSC). Përkundrazi, gjithë jurisprudenca relevante e Gjykatës Evropiane lidhur me parimin e ligjit më të butë u analizua në mënyrë të hollësishme. Kjo qasje gjithëpërfshirëse reflekton praktikën e qëndrueshme të të gjitha paneleve të KSC-së. Ky precedent i rëndësishëm padyshim është respektuar. Në fakt, disa panele i referohen atij në lidhje me parimin e zbatimit të ligjit më të butë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se rrethanat specifike në rastin Mustafa dhe ligjet që zbatohen në territorin e Kosovës ndryshonin ndjeshëm nga ato në rastin Maktouf dhe Damjanović dhe ligji që zbatohet në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës, si nga ana faktike ashtu edhe nga ana e regjimit ligjor që zbatohen para KSC-së. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka qëndruar gjithmonë se çdo rast duhet të vlerësohet individualisht duke marrë parasysh kontekstin specifik. Si rrjedhojë, çështja e zbatimit të ligjit më të butë në rastin e z. Mustafa u vlerësua brenda kuadrit të KSC-së dhe rrethanave të veçanta të rastit Mustafa.