Kryeparlamentari Konjufca shkroi në librin e zisë në Ambasadën e Turqisës në Prishtinë

“Nuk ka fjalë për trishtimin dhe pikëllimin që ndiejmë të gjithë për këtë tragjedi e këto humbje të paimagjinueshme. U prehshin në paqe!”, shkroi Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vizituar Ambasadën e Türkiyes në Prishtinë ku u ka shprehur ngushëllime zyrtarëve të ambasadës dhe ka shkruar në librin e zisë me rastin e tërmetit të 6 shkurtit me epiqendër në Türkiye, transmeton Anadolu.

“Sot vizitova Ambasadën e Türkiyes në Prishtinë, ku shpreha ngushëllimet e mia në librin e zisë. Nuk ka fjalë për trishtimin dhe pikëllimin që ndiejmë të gjithë për këtë tragjedi e këto humbje të paimagjinueshme. U prehshin në paqe!”, shkroi Konjufca në rrjetet sociale.

Më herët, në librin e zisë kanë shkruar edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e ekipeve të cilat po kontribuojnë në procesin e kërkim-shpëtimit në provincën Hatay të Türkiyes janë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Së fundmi, kontingjentit të FSK-së i janë bashkuar edhe gjashtë pjesëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të ardhur nga Kosova dhe së bashku me organizatën AKUT po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm në rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.

Sipas shifrave të fundit, të paktën 18.342 persona humbën jetën dhe 74.242 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme në Türkiyen jugore të hënën, të cilat u karakterizuan si “katastrofa e shekullit”.

Nga stërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 me qendër në provincën Kahramanmaraş janë prekur më shumë se 13 milionë njerëz në dhjetë provinca turke.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi