Kryengritje në Spanjë: Reali nuk lejon Barcelonën të zhvillojë ndeshjen e planifikuar, i drejtohet FIFA-s dhe UEFA-s

Real Madrid ka refuzuar propozimin që futbollistët e Barcelonës dhe Villarrealit të zhvillojnë ndeshjen e tyre të javës së 17-të të La Ligës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Madrilenët i janë drejtuar Këshillit të Lartë Sportiv të Spanjës, UEFA-s dhe FIFA-s me kërkesë që të bllokohet ndeshja mes Barcelonës dhe Villarrealit, e cila është planifikuar të luhet në SHBA. Si arsye kanë theksuar padrejtësinë, pasi humbet e drejta që çdo skuadër të luajë një ndeshje në shtëpi dhe një jashtë gjatë sezonit.

“Real Madrid CF dëshiron t’u bëjë të qartë anëtarëve, tifozëve dhe dashamirësve të futbollit në përgjithësi se refuzon kategorikisht propozimin që ndeshja mes Villarrealit dhe Barcelonës e javës së 17-të të luhet jashtë Spanjës”, thuhet në deklaratën e madrilenëve.

Reali thekson se vendimi është marrë pa konsultuar klubet pjesëmarrëse në garë.

“Masa shkel parimin themelor të reciprocitetit territorial, i cili zbatohet në garat e kampionatit (një ndeshje në shtëpi dhe një në fushën e kundërshtarit), duke cenuar ekuilibrin konkurrues dhe duke u dhënë një avantazh sportiv të pajustifikuar klubeve që aplikojnë”, vazhdon deklarata.

Ata shtojnë se integriteti i garës kërkon që të gjitha ndeshjet të zhvillohen në të njëjtat kushte për të gjitha ekipet.
“Ndryshimi i njëanshëm i këtij regjimi cenon barazinë mes garuesve, rrezikon legjitimitetin e rezultateve dhe vendos një precedent të papranueshëm, duke hapur derën për përjashtime të bazuara në interesa josportive, që ndikojnë qartë në integritetin sportiv dhe rrezikojnë falsifikimin e garës”, thuhet në deklaratë.

“Nëse ky propozim do të zbatohej, pasojat e tij do të ishin aq serioze sa do të përbënin një pikë kthese në botën e futbollit”, përfundojnë nga klubi më i trofeshëm në botë.

Real Madrid ka shtuar gjithashtu se çfarë kërkese ka dërguar në UEFA, FIFA dhe Këshillin e Lartë Sportiv të Spanjës: ata kërkojnë që të mos lëshohen lejet administrative të nevojshme.

Kategoritë
Sport