Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, për herë të parë kërkoi falje publike ndaj grave të Grenlandës për skandalin e kontracepsionit të detyruar, ku mijëra vajza dhe gra iu nënshtruan kësaj procedure pa pëlqimin e tyre.
Frederiksen e përshkroi rastin si një formë të “diskriminimit sistematik” nga ana e sistemit shëndetësor danez.
“Edhe pse nuk e kemi ende të plotë pasqyrën, fakti që kaq shumë gra nga Grenlanda njëzëri dëshmojnë se kanë qenë viktima të abuzimeve nga sistemi shëndetësor danez, na detyron të marrim përgjegjësi. Nuk mund ta ndryshojmë atë që ka ndodhur, por mund të kërkojmë falje. Në emër të Danimarkës, them: më vjen keq. U kërkoj falje vajzave dhe grave që u diskriminuan sistematikisht, vetëm pse ishin grenlandeze, vetëm pse pësuan dëme fizike dhe psikologjike”, tha ajo.
Viktimat ishin edhe 12-vjeçare
Disa nga vajzat ishin vetëm 12 vjeç kur mjekët danezë u vendosën spirale intrauterine (IUD), në kuadër të një politike për të ulë numrin e popullsisë së Grenlandës. Vlerësohet se rreth 4.500 gra dhe vajza u ekspozuan ndaj kësaj metode ndërmjet viteve 1966 dhe 1970.
Hetimi dhe paditë
Falja e Frederiksen vjen pak para publikimit të raportit përfundimtar të hetimit shumëvjeçar mbi këtë rast, që pritet të publikohet në shtator.
Ndërkohë, 143 gra nga Grenlanda vitin e kaluar ngritën padi ndaj shtetit danez duke kërkuar 43 milionë kurona daneze dëmshpërblim, duke e cilësuar ngjarjen si shkelje flagrante të të drejtave të tyre njerëzore, pasi spiralet u vendosën pa pëlqimin apo dijeninë e tyre.