Kryeministri spanjoll mbështet yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, pas kritikave të ministrit izraelit të mbrojtjes

“Lamine ka shprehur vetëm solidaritetin me Palestinën që e ndiejnë miliona spanjollë. Një arsye më shumë për të qenë krenar për të”, tha Pedro Sanchez.

Kryeministri spanjoll shprehu mbështetje për futbollistin Lamine Yamal pas akuzave të ministrit të mbrojtjes së Izraelit se ylli i Barcelonës ka “nxitur urrejtje ndaj Izraelit” për shkak të shprehjeve publike të mbështetjes për palestinezët, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën amerikane X, Pedro Sanchez tha se ata që e konsiderojnë valëvitjen e flamurit të një shteti si “nxitje urrejtjeje” ose “kanë humbur gjykimin, ose janë verbuar nga turpi i tyre”.

“Lamine ka shprehur vetëm solidaritetin me Palestinën që e ndiejnë miliona spanjollë. Një arsye më shumë për të qenë krenar për të”, shtoi Sanchez.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e kishte akuzuar Yamalin për nxitje të “urrejtjes ndaj Izraelit”.

Të hënën, futbollisti 18-vjeçar i Spanjës u pa duke valëvitur flamurin gjatë paradës së ekipit në rrugët e Barcelonës me rastin e shpalljes kampion në La Liga, ndërsa në festime morën pjesë rreth 750.000 njerëz.

Pamjet e këtij gjesti u bënë shpejt virale në internet dhe shkaktuan reagime nga mbështetës dhe figura publike.

Kategoritë
BotaLajme