Kryeministri libanez i bën thirrje Iranit të mos përdorë jugun e Libanit si “levë” në bisedimet me SHBA-në

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi SHBA-ja, Libani dhe Izraeli publikuan një deklaratë të përbashkët për një marrëveshje armëpushimi, në pritje të miratimit përfundimtar nga palët, pas raundit të katërt të negociatave në Washington

Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i ka bërë thirrje Iranit të ndalojë së trajtuari jugun e Libanit dhe banorët e tij si “levë” në negociatat me SHBA-në, duke u shprehur se civilët po paguajnë çmimin për një luftë që “nuk është lufta e tyre”, transmeton Anadolu.

Salam i bëri këto deklarata gjatë një konference për media në zyrën qeveritare Grand Serail në Bejrut, ku morën pjesë ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të OKB-së, me rastin e nisjes së një apeli të dytë emergjent humanitar për të prekurit nga lufta e Izraelit në Liban.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi SHBA-ja, Libani dhe Izraeli publikuan një deklaratë të përbashkët për një marrëveshje armëpushimi, në pritje të miratimit përfundimtar nga palët, pas raundit të katërt të negociatave në Washington.

Dje, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) tha se pranimi i armëpushimit nga Irani ishte i “kushtëzuar me një armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Duke iu përgjigjur këtij qëndrimi, Salam tha se Libani “përmes përpjekjeve të shtetit libanez, mbështetjes së vëllezërve arabë dhe mirëkuptimit amerikan” kishte arritur një marrëveshje armëpushimi.

“Garda Revolucionare Islamike ishte pala e parë që e hodhi poshtë atë, para kujtdo tjetër”, tha ai.

Ky qëndrim, shtoi ai, “konfirmon edhe një herë se kjo nuk është lufta jonë, se nuk po luftohet për ne, por në tokën tonë dhe në kurriz të popullit tonë”.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Iranit, ai tha: “Kini mëshirë për jugun tonë dhe ndaloni së trajtuari atë dhe njerëzit e tij thjesht si levë për të përmirësuar kushtet e negociatave tuaja me SHBA-në”.

Ai theksoi se populli libanez “ka një atdhe që refuzon të bëhet kuti postare për mesazhet e të tjerëve apo një arenë e hapur për luftërat e tyre”.

“Libani nuk është kartë në tryezën e askujt të negociatave dhe jugu nuk është front rezervë i askujt. Populli i jugut po paguan sërish çmimin e një vendimi që nuk e mori vetë dhe të një lufte që nuk është e tyre”, tha Salam.

Një armëpushim i brishtë në Liban është në fuqi që nga 17 prilli, i cili është zgjatur nga Washingtoni deri në fillim të korrikut, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për ta ruajtur dhe për të shmangur kolapsin e tij.

Izraeli mban të pushtuara zona në jug të Libanit, disa prej të cilave prej dekadash dhe të tjera të marra gjatë konfliktit 2023-2024. Gjatë ofensivës aktuale, forcat izraelite kanë avancuar më shumë se 10 kilometra në territorin libanez, duke shënuar depërtimin e tyre më të thellë që nga viti 2000.

Sipas zyrtarëve libanezë, mbi 3.500 persona janë vrarë dhe mbi 10.000 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban që nga 2 marsi.

Kategoritë
BotaLajme