Kryeministri Kurti takon Papa Françeskun në Vatikan

Kryeministri Kurti takon Papa Françeskun në Vatikan

Kurti në këtë takim ka thënë se Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Vatikan është pritur në takim nga Papa Françesku, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti u shpreh falënderues për “mikpritjen dashamirëse në Vatikan”.

Kurti në këtë takim ka thënë se Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim.

“Me Papa Françeskun biseduan për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kryeministri Kurti e njoftoi kreun e Vatikanit për suksesin demokratik dhe ekonomik të Kosovës dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme, duke theksuar faktin se “jemi qeveria e parë që po ndanë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta”.

Kurti dhe Papa Françesku u pajtuan se duhet “që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi”.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Papa Françeskun.

Pas vizitës në Vatikan, kryeministri Kurti pritet që gjatë ditës të takohet në Bruksel me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, në një takim ku është ftuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq për de-përshkallëzimin dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova