Kryeministri izraelit urdhëron ndjekjen penale të ushtarëve që zbuluan vrasjet masive në Gaza në dokumentarin NAZA

Kryeministri izraelit urdhëron ndjekjen penale të ushtarëve që zbuluan vrasjet masive në Gaza në dokumentarin NAZA

Dokumentari bazohet në dëshmitë e 24 ushtarëve dhe personelit të inteligjencës izraelite lidhur me përdorimin nga Izraeli të inteligjencës artificiale në vrasjet e shënjestruara dhe operacionet ushtarake në Gaza.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar institucionet e sigurisë dhe prokurorin e përgjithshëm të vendit të identifikojnë dhe të ndjekin penalisht ushtarët dhe oficerët e intervistuar në dokumentarin hulumtues NAZA lidhur me vrasjet masive të civilëve në Gaza nga Izraeli, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.

Në një letër drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Eyal Zamir, shefit të Shin Bet-it, David Zini, dhe prokurores së përgjithshme, Gali Baharav-Miara, Netanyahu i akuzoi pjesëmarrësit në dokumentar për kryerjen e “shkeljeve të rënda të sigurisë së informacionit dhe shpifjes penale”, si dhe për dëmtimin e “interesave diplomatike dhe të sigurisë së Izraelit”, sipas gazetës Haaretz.

Dokumentari i vlerësuar me çmime shqyrton përdorimin nga Izraeli të inteligjencës artificiale dhe sistemeve të automatizuara të mbikëqyrjes në vrasjet e shënjestruara dhe operacionet ushtarake gjatë luftës gjenocidale në Gaza.

Titulli i filmit, “NAZA”, i referohet një akronimi të përdorur nga inteligjenca ushtarake izraelite për të përcaktuar numrin e civilëve që pritet të vriten gjatë një sulmi ajror.

Gjatë luftës, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 175.000 të tjerë që nga tetori i vitit 2023, në një ofensivë brutale që e ka lënë të gjithë enklavën në rrënoja.

Netanyahu pretendoi se filmi ka paraqitur një “narrativë të rreme, çorientuese dhe të njëanshme”, e cila shpif ndaj Izraelit dhe ushtrisë së tij dhe dëmton pozitën ndërkombëtare të vendit.

“Ekziston shqetësimi se personat e përfshirë në filmin shpifës kanë kryer vepra të rënda penale duke zbuluar informacione tepër të klasifikuara dhe duke shkaktuar një shkelje të sigurisë së informacionit të një njësie shumë të ndjeshme të inteligjencës”, tha ai në letër.

Filmi, i bazuar në dëshmitë e 24 ushtarëve dhe pjesëtarëve të personelit të inteligjencës izraelite, fitoi Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia muajin e kaluar.

Pas ndarjes së çmimit, ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, i kërkoi Ministrisë së Brendshme të shqyrtonte mundësinë e heqjes së shtetësisë së krijuesve të filmit, duke e cilësuar dokumentarin si “të neveritshëm” dhe duke i akuzuar ata për “tradhti”.

Zamir urdhëroi veçmas Inteligjencën Ushtarake, Korpusin e Prokurorit të Përgjithshëm Ushtarak dhe Forcat Ajrore izraelite të identifikonin ushtarët e paraqitur në film dhe të përcaktonin nëse ata ishin ushtarë në shërbim aktiv, oficerë karriere apo rezervistë, sipas Haaretz.

Gjatë diskutimeve për këtë çështje, prokurori i përgjithshëm ushtarak, Itai Offir, tha se nuk do të kishte bazë ligjore për ndjekje penale, përveç rastit kur konstatohej se pjesëmarrësit kishin kryer shkelje të sigurisë së informacionit ose kishin zbuluar materiale të klasifikuara.

Megjithatë, ai tha se mund të ndërmerreshin masa disiplinore ose komanduese nëse ishin shkelur urdhrat ushtarakë.

Ushtria izraelite pretendoi se paraqitja në dokumentar e procedurave të saj të shënjestrimit në Gaza përmbante “gabime të konsiderueshme faktike”.

The Guardian, e cila prodhoi dokumentarin, e mbrojti filmin, duke deklaruar se procesi i përdorur për të vlerësuar besueshmërinë e dëshmive ishte “rigoroz” dhe përfshinte dokumente të klasifikuara, verifikimin e sulmeve konkrete dhe konfirmimin e tyre nga burime të tjera konfidenciale.

Gazeta tha se kishte intervistuar më shumë se 100 persona të njohur me sistemet ushtarake izraelite të përdorura gjatë luftës në Gaza, përfshirë komandantë të lartë të përfshirë në autorizimin e sulmeve.

Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi kryesor gjyqësor i OKB-së, po shqyrton gjithashtu një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut dhe të mbështetur nga disa vende, ku Izraeli akuzohet për gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme