– Kryeministri britanik Starmer tha se të gjithë duan që lufta midis Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë, duke shtuar se duhet të sigurohet që paqja të jetë e drejtë dhe e barabartë
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se të gjithë duan që lufta midis Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë, duke shtuar se duhet të sigurohet që paqja të jetë e drejtë dhe e barabartë, transmeton Anadolu.
Starmer u nis në rrugën për të marrë pjesë në takimin që do të zhvillohet në Washington midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy me udhëheqësit evropianë. Ai ndau një video deklaratë që bëri nga avioni i tij në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X.
“Të gjithë duan që kjo (lufta në Ukrainë) të përfundojë, veçanërisht ukrainasit”, tha Starmer duke shtuar se një paqe e qëndrueshme në Ukrainë duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë dhe se kjo duhet të arrihet në mënyrën e duhur.
“Për këtë arsye do të shkoj në Washington me udhëheqës të tjerë evropianë për t’u takuar ballë për ballë me presidentin Trump dhe presidentin Zelenskyy sepse është në interesin e të gjithëve dhe në interesin e Mbretërisë së Bashkuar, që kjo të zgjidhet në mënyrën e duhur”, tha Starmer.
Në takimin që do të mbahet sot në Washington mes Trumpit dhe Zelenskyyt pritet që në tryezë të jenë disa çështje të rëndësishme, përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe shkëmbimin territorial.
Në takim do të marrin pjesë gjithashtu presidentja e Komisionit Evropian (BE) Ursula von der Leyen dhe disa udhëheqës evropianë.