Kroacia po shqyrton futjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Kroacia mund të vendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për një muaj pas përfundimit të shkollës së mesme.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, kishte për detyrë të paraqesë një muaj trajnim të detyrueshëm ushtarak pas shkollës së mesme, në të cilin të gjithë do t’i nënshtroheshin trajnimeve për ndihmën e parë, trajtimin e armëve, mbrojtjen bërthamore dhe kimike, transmeton Jutarnji list.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç zbuloi të hënën se bisedimet për stërvitjen ushtarake kanë vazhduar prej disa kohësh.

“Në rrethanat e kërcënimeve të sigurisë që ekzistojnë në mbarë botën, nuk është keq që Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë të bëjë një hap përpara nga ajo që po bëhet tashmë në kuptimin e konceptit me ata që shërbejnë vullnetarisht në ushtri dhe të përgatisë konceptin e kurseve më të shkurtra në mënyrë që një numër më i gjerë njerëzish të mund të familjarizohen me aftësitë bazë që gjeneratat e reja nuk i kanë. Unë kam kohë që bisedoj me ministrat Anushiç, Bozhinoviç dhe Medved për këtë temë, dhe ne i dhamë Anushiqit mandatin për të dalë me një koncept të caktuar”, tha Plenkoviq.

Aktualisht nuk dihen detaje të mëtejshme rreth konceptit të trajnimit.

Mirëpo, sipas mediave në Kroaci, mund të pritet që ai të bazohet në konceptin e trajnimit bazë ushtarak, të cilin ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Damir Krstiçeviq, sot këshilltar i kryeministrit për mbrojtjen, ka dashur ta prezantojë në vitin 2017.

Në atë kohë, trajnimi bazohej në baza vullnetare, por tashmë po mendohet që shërbimi ushtarak të bëhet i detyrueshëm.

Më pas Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm zhvilluan një koncept të bazuar në një kamp ushtarak njëmujor, në të cilin të rinjtë do t’i nënshtroheshin bazave të stërvitjes ushtarake në baza vullnetare pas përfundimit të shkollës së mesme.

Ishte menduar që pjesëmarrësit të kalonin në trajtimin e armëve personale dhe të lehta, qitje, orientim, qëndrim në terren, vetëmbrojtje, ndihmën e parë dhe masa mbrojtëse nga efektet bërthamore, kimike dhe biologjike.

Në atë kohë, ishte plani B i Krstiçeviçit, pasi ideja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak hasi në rezistencë të madhe publike. Asnjëherë nuk u publikua asnjë informacion për publikun se sa do të kushtonte trajnimi ushtarak, sa objekte ushtarake do të duhej të rregulloheshin dhe sa të rinj do të stërviteshin çdo vit, shkruan Jutarnji.

Kategoritë
LajmeRajoni