Qeveria e Kroacisë ka vendosur të ndajë një milion euro ndihmë urgjente humanitare për civilët në Rripin e Gazës, të cilët po vuajnë nga uria dhe mungesa e furnizimit me ushqime. Ndihma do të shpërndahet përmes Programit Botëror të Ushqimit (WFP), organizata kryesore ndërkombëtare për luftën kundër urisë dhe pasigurisë ushqimore.
Vendimi u miratua në mbledhjen e sotme të qeverisë, ndërsa për zbatimin e tij është ngarkuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane. Ministri Gordan Grlić Radman theksoi se Kroacia, që nga fillimi i konfliktit në Gaza, ka dërguar tashmë 2,75 milionë euro ndihmë humanitare për nevoja urgjente në fusha si shëndetësia, ushqimi, uji i pijshëm, higjiena, arsimi dhe mbrojtja civile.
“Ky vendim është marrë për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare dhe konfirmimit zyrtar të gjendjes së urisë në Gaza, duke u mbështetur në parimet themelore humanitare”, deklaroi ministri.
Konfirmimi i urisë në Gaza
Raporti i publikuar më 22 gusht nga Integrated Food Security Phase Classification (IPC) – mekanizëm global që përdoret nga agjencitë e OKB-së dhe organizatat e tjera humanitare – për herë të parë ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e gjendjes së urisë në Gaza.
Vendim edhe për dëmet nga tërmeti
Përveç kësaj, qeveria miratoi një tjetër vendim për ri-shpërndarjen e 13 milionë eurove brenda buxhetit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Pasurisë Shtetërore, për të mbuluar shpenzimet e riparimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i dhjetorit 2020 në qarqet Sisačko-Moslavina, Zagreb dhe Karlovac.