Pothuajse dy të tretat e gjermanëve ka gjasa të mos e mbronin atdheun e tyre në rast të një pushtimi, tregon një sondazh i ri, gjë që përbën goditje për planet e qeverisë për riar matosjen e vendit.
Sipas sondazhit të realizuar nga agjencia për hulumtim të opinionit publik për transmetuesin gjerman RND, 59 për qind e të anketuarve thanë se “me gjasë” ose “absolutisht” nuk janë të gatshëm ta mbrojnë vendin në rast sulmi.
Vetëm 16 për qind e qytetarëve gjermanë deklaruan se janë “absolutisht” të gatshëm të marrin armët për të mbrojtur vendin, ndërsa 22 për qind thanë se “me gjasë” do ta bënin këtë.
Këto rezultate paraqesin një sfidë serioze për ministrin e mbrojtjes Boris Pistorius, i cili po udhëheq përpjekjet për ta rindërtuar Gjermaninë si një forcë të rëndësishme sigurie në Evropë, pas dekadave të mosinvestimeve në ushtri.
Në korrik, Pistorius paraqiti planet për rekrutimin e 40.000 të rinjve çdo vit në Bundeswehr deri në vitin 2031, si pjesë e një skeme të re shërbimi ushtarak. Sipas saj, planifikohet dërgimi i pyetësorëve të detyrueshëm për meshkujt që mbushin 18 vjeç, çka mund të pasohet edhe me kontrolle shëndetësore të detyrueshme për vlerësimin e përshtatshmërisë për shërbim ushtarak.
Zyrtarët e Bundeswehrit thonë se numri i ushtarëve duhet të rritet nga 182.000 aktualisht në të paktën 260.000 deri në vitin 2035, ndërsa numri i rezervistëve nga 60.000 në 200.000.
Ushtria gjermane prej dekadash përballet me vështirësi në rekrutim, pjesërisht për shkak të ndjenjës së fajit për rolin e vendit në Luftën e Dytë Botërore, por edhe për shkak të bindjes së përhapur se Gjermania nuk ka më nevojë për ushtri. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili ishte shumë jopopullor, u hoq në vitin 2011.
Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës e ka detyruar Berlinin të rishikojë seriozisht politikën e tij të sigurisë – të njohur si Zeitenwende (“pikë kthese”).
Kancelari Friedrich Merz ka premtuar pas fitores zgjedhore në shkurt se “Gjermania është sërish këtu” dhe se do t’i bëjë ballë presidentit rus Vladimir Putin. Ai ka miratuar reforma historike në ligjin e borxhit, që lejojnë rritje të pakufizuar të shpenzimeve të mbrojtjes për projekte me vlerë mbi 1 për qind të PBB-së.
Qeveria e Merzit ka krijuar gjithashtu një fond të veçantë infrastrukturor prej 500 miliardë eurosh për rikonstruksionin e rrjeteve rrugore dhe hekurudhore, pjesë kyçe e planit të sigurisë së NATO-s për një luftë të mundshme me Rusinë, meqë Gjermania do të shërbente si zonë tranziti për trupa dhe tanke drejt frontit lindor.
Gjermania nuk është e vetmja me këtë problem. Në Itali, një sondazh i ngjashëm tregoi se vetëm 16 për qind e qytetarëve janë të gatshëm të mbrojnë vendin, pavarësisht rritjes 46 për qind të buxhetit të mbrojtjes në dekadën e fundit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ushtria dhe marina nuk kanë përmbushur pothuajse asnjë objektiv vjetor rekrutimi që nga viti 2010, për shkak të pagave të ulëta, kushteve të dobëta në strehimin ushtarak dhe mungesës së interesit të të rinjve për të luftuar për vendin e tyre.