Krim i quajtur me emër të drejtë, por i fshihet: Sisi detyroi Al-Azharin të tërheqë dë­nimin e Izraelit

Zyra e presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi ushtroi presion mbi imamin Ahmed al-Tayeb dhe institucionin Al-Azhar që të tërheqin dë­nimin e fuqishëm të politikës izraelite të urisë në Gaza, të cilin Al-Azhar e kishte quajtur në fillim “gjenocid të plotë”.

Sipas raportimit të Middle East Eye, duke u referuar në dy burime të afërta me Al-Azharin dhe Presidencën egjiptiane, në deklaratën që u publikua të martën, por më pas u fshi, Al-Azhar dë­noi me ashpërsi rrethimin dhe urinë e imponuar mbi Gazën, duke e quajtur atë krim gjenocidi dhe duke akuzuar çdo vend që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mbështet këto veprime.

“Uria e qëllimshme dhe vdekjeprurëse që kjo okupatë mizore i imponon banorëve të pa­q­të të Gazës… përbën një krim të plotë gjenocidi,” thuhej në tekstin tashmë të fshirë. Më tej, paralajmërohej se “bashkëpunëtorë në këtë gjenocid janë të gjithë ata që furnizojnë këtë entitet me armë, si edhe ata që e inkurajojnë me rezoluta hipokrite dhe fjalë bosh”.

Pasi deklarata u publikua, Al-Azhar e hoqi atë duke argumentuar se veproi “me guxim dhe përgjegjësi para Zotit”, sepse vuri interesin e shpëtimit të jetëve të pafajshme përpara çdo gjëje, dhe se teksti mund t’i dëmtonte negociatat për një armëpushim humanitar në Gaza. “Al-Azhar vendosi shpëtimin e jetëve të pafajshme mbi gjithçka tjetër,” thuhej në deklaratën e re, të rishikuar dhe të publikuar të mërkurën.

Megjithatë, burimet e Middle East Eye-s thonë se arsyeja e vërtetë e tërheqjes ishte kritika ndaj vendeve të treta dhe implikimi i tyre direkt në gjenocid, dhe se fshirja erdhi pas ndërhyrjes së zyrës së Sisit.

Në deklaratën origjinale, Al-Azhar i bëri thirrje “të gjithë njerëzve të lirë dhe të ndershëm në botë” të veprojnë për të ndalur urinë dhe vrasjet masive në Gaza. “Sot ndërgjegjja e njerëzimit qëndron në një kryqëzim historik… ndërkohë mijëra fëmijë dhe civilë po vdesin nga armët, uria, etja dhe mungesa e ilaçeve,” njoftonte teksti.

Fakti që Al-Azhar, autoriteti më i lartë i islamit sunit dhe rrallëherë aktiv në çështjet izraelite, përdori termin e rëndë “gjenocid” dhe akuzoi edhe ata që heshtin, mbështesin apo kërkojnë zhvendosjen e palestinezëve, ishte i paprecedentë.

Vendimi për tërheqje nxiti një valë kritike në botën islame. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Ndërkombëtar të Ulemave Muslimanë, Ali al-Qaradaghi, e quajti fshirjen “të papranueshme” dhe “një tentativë për të heshtur zërin e ndërgjegjes”.

Ndërkohë, ndërsa Egjipti luan rol kyç në ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Hamasit, autoritetet në Kajro përpiqen të zbusin frustrimet e popullsisë së tyre për shkak të akuzave se mbështesin në praktikë bllokadën izraelite të Gazës, sidomos për shkak të mbylljes së pikës kufitare të Rafa.

Në Holandë, aktivistë bllokuan dyert e ambasadës egjiptiane në Hagë, duke protestuar kundër, siç thanë, “regjimit tradhëtar të Sisit” dhe mbylljes së kufirit me Gazën. Aktivisti egjiptian Anas Habib filmoi protestën e tij përpara ambasadës.

Sipas të dhënave të ministrisë palestineze të shëndetësisë, së paku 115 palestinezë, përfshirë 80 fëmijë, kanë vdekur nga uria që nga marsi i këtij viti. Vetëm të hënën, 15 persona vdiqën nga kequshqyerja.

Deklarata e fshirë e Al-Azharit ishte një britmë e ndërgjegjes nga zemra e botës myslimane – por që, nën presionin e pushtetit, u hesht në emër të “interesit politik”.

Kategoritë
BotaLajme