– “Krijimi i mekanizmit të çarmatimit do ta çojë përpara procesin”, tha lideri i burgosur i PKK-së, Abdullah Ocalan.
ryetari i burgosur i PKK-së, Abdullah Ocalan të mërkurën përsëriti thirrjen e tij për grupin terrorist që të dorëzojë armët, transmeton Anadolu.
Ocalan, i cili aktualisht po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në një burg në ishullin Imrali, pranë Stambollit, tha se mban qëndrimin e tij ndaj thirrjes që bëri më 27 shkurt, duke i kërkuar grupit terrorist të çarmatoset dhe të shpërbëhet.
Duke theksuar se faza aktuale duhet të konsiderohet e vlefshme dhe historike, Ocalan tha se këto zhvillime erdhën si rezultat i bisedimeve të mbajtura, duke shtuar se këto diskutime u zhvilluan në bazë të vullnetit të lirë.
Ocalan tha se çarmatimi vullnetar dhe krijimi i një komisioni gjithëpërfshirës parlamentar janë thelbësore për procesin e përgjithshëm. Ai theksoi se grupi terrorist PKK ka braktisur qëllimin e tij për të krijuar një shtet-komb dhe i ka dhënë fund ekzistencës së tij.
Çarmatimi duhet të sigurohet në mënyrë transparente që është kuptimplotë si për parlamentin ashtu edhe për publikun, adreson dyshimet ekzistuese dhe përmbush përgjegjësinë e angazhimeve të marra, shtoi ai.
“Krijimi i një mekanizmi çarmatimi do ta çojë procesin përpara”, tha Ocalan.
Duke thënë se detajet e çarmatimit do të përcaktohen dhe do të zbatohen me shpejtësi, ai tha më tej se Partia Demokratike Popullore (Partia DEM), nën çatinë e parlamentit, së bashku me partitë e tjera politike, do të përmbushë rolin e saj për të siguruar suksesin e këtij procesi.
“Unë besoj në fuqinë e politikës dhe paqes sociale, jo të armëve, dhe ju bëj thirrje ta vini në praktikë këtë parim”, tha ai. Ocalan shtoi se zhvillimet e fundit në rajon pohojnë qartë rëndësinë dhe urgjencën e hapit historik që po ndërmerret.
Në maj, grupi terrorist PKK vendosi të shpërbëhet dhe të dorëzojë armët. Njoftimi pasoi një deklaratë të shkurtit nga Ocalan, i cili bëri thirrje për shpërbërjen e PKK-së dhe grupeve të lidhura me të, duke kërkuar përfundimin e fushatës së armatosur që ka zgjatur më shumë se katër dekada.
Në fushatën e saj 40-vjeçare terroriste kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnje dhe të moshuar.