Rusia është në “kontakte të vazhdueshme” me Iranin, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov
Kremlini tha sot se Rusia është “e gatshme” ta ndihmojë Iranin të largojë karburantin e tepërt bërthamor nga vendi nëse palët në çështjen e programit bërthamor të Teheranit e konsiderojnë të nevojshme, transmeton Aandolu.
“Nëse është e nevojshme, nëse palët e konsiderojnë të nevojshme, Rusia do të jetë e gatshme të ofrojë shërbime të tilla”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një informimi në përgjigje të një pyetjeje nëse ndihma e mundshme e Moskës në programin bërthamor të Iranit është diskutuar me Teheranin dhe Washingtonin.
Duke theksuar se Rusia është në “kontakte të vazhdueshme” me Iranin, Peskov konfirmoi se tema e lartpërmendur është diskutuar “pikërisht me këto formulime” gjatë telefonatës së fundit të presidentit rus Vladimir Putin me presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Putin dhe Trump zhvilluan një telefonatë të mërkurën e kaluar dhe diskutuan një gamë të tërë çështjesh ndërkombëtare, me theks në “situatën disi të bllokuar” në bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së në lidhje me programin bërthamor të Teheranit, sipas ndihmësit presidencial rus, Yury Ushakov.
Më herët sot, zëvendësministri i jashtëm rus Sergey Ryabkov u tha gazetarëve se Moska është e gatshme të ndihmojë në këtë çështje si politikisht ashtu edhe praktikisht, dhe se momenti për një marrëveshje “nuk është humbur plotësisht”.
“Tani do të ishte e nevojshme të dyfishohen përpjekjet për të arritur, megjithëse një zgjidhje lehtësuese, jo gjithëpërfshirëse, por prapëseprapë për problemet që lidhen si me regjimin e sanksioneve, ashtu edhe me çështjet që kundërshtarët e Iranit po ngrenë kundër tij. Sidomos pasi gatishmëria e Teheranit për të zhvilluar një dialog të tillë është e dukshme”, tha ai.
Që nga prilli, Teherani dhe Washingtoni janë angazhuar në pesë raunde negociatash të tërthorta bërthamore në Muskat dhe Romë, të ndërmjetësuara nga Omani. Ndërsa të dyja palët kanë pranuar njëfarë progresi, ende nuk është arritur një përparim vendimtar.
Ajo që po ndërlikon bisedimet është këmbëngulja e SHBA-së që Irani të çmontojë programin e tij të pasurimit të uraniumit, një kërkesë që zyrtarët e lartë iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm dhe kryenegociatorin Abbas Araghchi, e kanë quajtur “të panegociueshme”.
Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit nëse nuk arrihet marrëveshje e re bërthamore për të zëvendësuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila Washingtoni u tërhoq në vitin 2018.