Kremlini në eufori për takimin Putin–Trump: “Do të sjellë shpresë, paqe dhe siguri globale”

Pritshmëritë në Rusi janë të mëdha në prag të samitit të planifikuar të premten mes liderit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-ve Donald Trump, shkruan Wall Street Journal.

Moska e sheh si një mundësi për “resetimin” e marrëdhënieve me Uashingtonin, ndërsa zyrtarë të Kremlinit nënkuptojnë mundësinë e një marrëveshjeje me SHBA-në për infrastrukturën dhe energjinë në Arktik e më gjerë, teksa mediat shtetërore ruse promovojnë atë që e quajnë marrëveshje të ardhshme mes dy fuqive të barabarta botërore.

“Neokonservatorët dhe nxitësit e tjerë të luftës nuk do të buzëqeshin” kur dy liderët të takohen, tha këshilltari i lartë i Putinit, Kirill Dmitriev.
“Dialogu Putin–Trump do të sjellë shpresë, paqe dhe siguri globale,” shtoi ai.

Edhe pse “çështja ukrainase” është shpallur si pika kryesore e rendit të ditës, në Alaskë do të diskutohen edhe “çështje globale shumë më të rëndësishme”, përfshirë plane ambicioze për bashkëpunim ekonomik e infrastrukturor në Arktik, sipas deputetit të lartë rus Sergej Gavrilov.

Aleksandr Jakovenko, ish-ambasador që deri vitin e kaluar drejtoi akademinë diplomatike ruse, shkroi në një opinion për agjencinë shtetërore RIA se “zgjidhja e luftës në Ukrainë, të cilën Perëndimi e ka humbur prej kohësh, është bërë çështje dytësore në marrëdhëniet SHBA–Rusi—asgjë më shumë se një pengesë për normalizimin që duhet kapërcyer së bashku.”

Që nga njoftimi i samitit, mediat ruse janë mbushur me histori për të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe Dmitrievin duke ngrënë së bashku pelmene në një restorant në Moskë, si edhe për vendndodhjen e një hoteli të ardhshëm në kryeqytetin rus—i përshkruar si i mundshmi “Trump Tower Moscow”—që dy burrat e vizituan javën e kaluar.

Por sa i përket Ukrainës, ku po vazhdon lufta më e përgjakshme në Evropë në disa breza, ka pak shenja se Putini synon kompromis të madh. Sipas Witkoff-it, oferta e Putinit është armëpushim nëse Kievi pranon të heqë dorë nga territore, përfshirë zona urbane të mëdha që forcat ruse nuk kanë arritur t’i pushtojnë.

Diplomatët perëndimorë dhe analistët rusë thonë se Putini beson se po fiton në fushëbetejë dhe se objektivi i tij fillestar—zëvendësimi i presidentit ukrainas Volodimir Zelenski me një regjim të afërt me Moskën—mund të jetë i arritshëm tani që Uashingtoni ka ndalur pagesat për armatimin e Ukrainës.

“Për të shmangur përplasjen me Trump-in, ai mund të pranojë ustupime anësore, por nuk do ta mbyllë luftën,” parashikon analisti politik rus Abbas Gallyamov, ish-shkrues fjalimesh i Putinit që tani jeton jashtë vendit dhe është kritik i Kremlinit.
“Skenari ideal për Putinin do të ishte ta ndajë çështjen e marrëdhënieve me Amerikën nga çështja e Ukrainës, me shpresën se temat e tjera politike e ekonomike do ta bëjnë Ukrainën të parëndësishme për Trump-in,” shtoi ai.

Vetë fakti i mbajtjes së samitit me Trump-in, dhe këtë herë në SHBA, është tashmë një fitore për Putinin, duke e ndihmuar të rikthejë reputacionin ndërkombëtar të një njeriu që shumë në Perëndim e trajtuan si të izoluar dhe që përballet me urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë për krime lufte.

“Ai mund të thotë: ‘Shikoni, u përpoqët të më izolonit, e unë po takoj presidentin amerikan, ndërsa ju evropianët duhet të zvarriteni në gjunjë dhe ta quani ‘Baba’,” tha Sergey Radchenko, historian i Luftës së Ftohtë në Universitetin Johns Hopkins.
“Skena e qëndrimit drejt dhe krenar, në bazë të barabartë me Shtetet e Bashkuara, është ajo që Rusia ka dashur gjithmonë—dhe është vërtet e rëndësishme për Putinin,” shtoi ai.

Trump lejoi që afati i vetëvendosur për sanksione ndaj Rusisë të skadonte në prag të samitit, gjë që diplomatët evropianë e shohin si sinjal për Moskën se, pavarësisht çfarë ndodh në Ukrainë, SHBA nuk do të ushtrojë presion shtesë serioz mbi Kremlinin.

“Putini është plotësisht i bindur, siç i thotë vazhdimisht Shtabi i Përgjithshëm, se me pak më shumë presion fronti ukrainas do të shembet,” tha Alexandra Prokopenko, bashkëpunëtore në Carnegie Russia Eurasia Center dhe ish-këshilltare në bankën qendrore ruse. Ajo shtoi se kjo s’do të thotë që Rusia s’do të pranonte një pauzë me kushtet e veta—si ndërprerja e furnizimeve me armë për Ukrainën—që do t’i lehtësonte fazën e ardhshme të ofensivës.

Një ustupim i mundshëm në Alaska, sipas disa analistëve në Moskë, mund të ishte oferta e Putinit për një armëpushim të kufizuar ajror, pra ndërprerje të sulmeve me raketa që muajt e fundit kanë vrarë qindra civilë në qytetet ukrainase. Ky hap do të ishte në interes të Rusisë, pasi sulmet me dronë me rreze të gjatë të Ukrainës i kanë shkaktuar dëm të ndjeshëm rafinerive të naftës dhe industrisë ushtarake ruse, si edhe kanë penguar aviacionin civil në Rusi. Sulmet ajrore mund të rifillojnë pasi Rusia të rindërtojë rezervat e raketave e dronëve dhe të riparojë dëmet.

Këtë verë, trupat ruse kanë rritur ofensivën tokësore në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, me synimin të rrethojnë qytetet Pokrovsk dhe Mirnohrad. Megjithatë, përparimi i përgjithshëm rus në dy vitet e fundit zë më pak se një për qind të territorit ukrainas. Nuk është arritur asnjë thyerje strategjike, ndërsa ofensiva e shumë-përfolur e këtij viti në rajonin verior Sumy dështoi me humbje të mëdha.

Propozimi rus në prag të samitit të Alaskës—siç e përcolli Witkoff tek liderët evropianë dhe Ukraina—i kërkon Kievit t’i dorëzojë Rusisë pjesën veriore shumë të fortifikuar të rajonit të Donjeckut në këmbim të një armëpushimi. Zelenski e refuzoi kërkesën, duke theksuar se nuk do të japë tokë ukrainase dhe duke kujtuar historinë e gjatë të Rusisë në shkeljen e armëpushimeve dhe marrëveshjeve diplomatike. Liderët evropianë mbështetën Kievin, duke thënë se çdo ustupim territorial duhet të jetë i ndërsjellë dhe i shoqëruar me garanci sigurie.

Trump tha të hënën se takimi i tij me Putinin ka për qëllim të “testojë” nëse një marrëveshje paqeje është e mundur. Ai kërcënoi se do të largohej nga bisedimet nëse e sheh të pamundur arritjen e një marrëveshjeje.
“Tani po shkoj të shoh parametrat. Mund të shkoj dhe të them: ‘Fat të mbarë,’ dhe aty do të mbarojë. Mund të them se kjo nuk do të zgjidhet,” tha Trump. Ai shtoi se do të kërkojë tërheqjen ruse nga disa pjesë të pushtuara të Ukrainës.
“Ata kanë okupuar territore shumë të vlefshme. Do të përpiqemi të rikthejmë një pjesë të atyre territoreve në Ukrainë,” tha ai.

Publikut rus, megjithatë, i është paraqitur pritja për dorëzimin e Ukrainës, jo për armëpushim e aq më pak për tërheqje ruse. Aleksandr Sladkov, propaganduesi kryesor i luftës në televizionin shtetëror rus, shkroi në Telegram se çdo armëpushim me Kievin do të zgjaste maksimumi gjashtë muaj.
“Pas kësaj do të ketë sërish luftë, me një armik më të fortë e të riar matosur. Fitorja e Rusisë në ‘operacionin ushtarak special’ është e pashmangshme,” shtoi ai—një mesazh që reflekton narrativën dominuese në ekranet ruse.

“Duhet të fitojmë. Të fitojmë. Është një luftë e tmerrshme dhe nuk do të mbarojë me takimin në Alaska,” tha së fundmi në emisionin e tij Vladimir Solovjov, një nga figurat më të njohura të TV-së ruse. Anëtari i komunitetit analitik Kirill Fedorov u shpreh i të njëjtit mendim:
“‘Operacioni special ushtarak’ është një lojë me shum ë zero dhe mund të mbyllet vetëm me fitore të plotë. Edhe njerëzit rreth Zelenskit, edhe Kremlini e kuptojnë këtë, ndërsa Trump është një biznesmen i viteve ’90 në karrigen e presidentit—thjesht imagjinon marrëveshje,” tha Fedorov.

Kategoritë
BotaLajme