Krasniqi akuzon Vetëvendosjen për krizën institucionale, thotë se propozimi i LDK-së do të shqyrtohet nga Kryesia e PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj situatës aktuale politike, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për, siç e cilësoi ai, mbajtjen e vendit në krizë institucionale përmes një qasjeje të imponuar dhe të papërgjegjshme.

Në një prononcim për Telegrafin, Krasniqi tha se qëndrimet e PDK-së kanë qenë të qarta dhe konsistente, ndërsa theksoi se vendi nuk duhet të mbetet peng i interesave të ngushta politike.

“Bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë,” deklaroi ai.

Lidhur me propozimin e bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për formimin e një qeverie tranzitore dhe unifikuese, Krasniqi konfirmoi se është i informuar dhe paralajmëroi se kjo çështje do të diskutohet brenda strukturave të partisë.

“Nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë, do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm,” u shpreh ai.

Propozimi i LDK-së, i bërë publik të martën nga kreu i saj, Lumir Abdixhiku, erdhi pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja, afro tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve më 9 shkurt.

Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion qeverisës LVV-LDK, duke ritheksuar qëndrimin se partia e tij nuk e mbështet këtë opsion.

Procesi i konstituimit të Kuvendit, i nisur më 15 prill, vazhdon të mbetet i bllokuar, meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

PDK dhe AAK e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse”, ndërsa LDK-ja ka refuzuar të votojë cilindo kandidat të propozuar nga LVV.

Përkundër kësaj, Vetëvendosje vazhdon ta mbështesë kandidaturën e Haxhiut, duke deklaruar se ajo është kandidate meritore dhe duke përjashtuar mundësinë për një emër tjetër./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi