Rashiq tha se Ministria ka pranuar saktësisht 3.458 aplikacione nga pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe se fondi prej dy milionë eurosh do të jetë i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.
Ministri për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka bërë të ditur se për subvencionim në këtë ministri kanë aplikuar rreth 3 mijë e 500 qytetarë nga të gjitha komunitetet që kanë nevojë për ndihmë.
Ministri Rashiq në një konferencën për media tha se thirrja për ndihmë në shtatë kategori, e cila ishte e hapur nga 6 deri më 17 shkurt, ka përfunduar ndërsa qytetarët kanë mundur të aplikojnë për ndihma në ndërtimin e kuzhinave, rinovimin e kuzhinave, ndarjen e materialeve të ndërtimit, ndarjen e elementeve të kuzhinës, mobiliet e kuzhinës, pako higjienike dhe ushqimore, si dhe subvencionimin e individëve.
Rashiq tha se Ministria ka pranuar saktësisht 3.458 aplikacione nga pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe se fondi prej dy milionë eurosh do të jetë i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.
“Fondet tona janë shumë të kufizuara dhe për shkak të këtij numri të madh, gati 3 mijë e 500 aplikantëve, me shumë mundësi do të kërkojmë mjete shtesë nga Qeveria e Kosovës për të përmbushur kërkesat e të gjithë personave që kalojnë kushtet, në mënyrë që t’u jepet atyre ajo çfarë kanë nevojë dhe na mundësohet ne të veprojmë, të vazhdojmë tutje edhe në të ardhmen”, tha Rashiq.
– Procesi është shoqëruar me pengesa të disa komunave
Ai ka thënë se i gjithë procesi është shoqëruar me pengesa të disa komunave, ndër të cilat komuna e Shtërpcës ishte në krye. Shtërpca është komunë e kryesuar nga Dalibor Jevtiq, kryetar i komunës nga partia Lista Serbe.
“Kur e them këtë, kam parasysh sjelljen e komunave, apo individëve në komuna, ndaj aplikantëve, ndaj personave që duhet të kishin marrë dokumentacionin në aspektin e mbështetjes teknike për rastin e tyre dhe në atë bllokim dhe mosmiratim të dokumenteve nga disa komuna. Në këtë aspekt, lider absolut ishte Komuna e Shtërpcës, e cila kishte tendencë t’i pengonte aplikantët tanë që të dorëzonin dokumentacionin e nevojshëm me kohë dhe nga 15 ditë afat për aplikim, sistemi i tyre ishte kufizuar me vetëm rreth 10 ditë”, tha Rashiq.
Ministri Rashiq tha se dy herë e ka dërguar në Policinë e Kosovës komunën e Shtërpcës dhe të dyja herë sistemi ka funksionuar mirë në prani të policisë. Ai shtoi se me këtë do të merren organet kompetente dhe se dikush do të jetë përgjegjës për këtë.
Rashiq prezantoi gjithashtu nisjen e një databaze të re që kjo ministri nuk e ka pasur deri më tani. Baza e të dhënave do të përfshijë të gjitha të dhënat në lidhje me aplikantët për subvencione, ata që marrin ndihmë, si dhe të dhënat për të refuzuarit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri Rashiq konfirmoi se për shkak të performancës së dobët të punëtorëve në fund të vitit të kaluar buxhetor, në Zyrën për Komunitete në kuadër të Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës është deklaruar suficit prej 825 mijë eurosh dhe kjo ka rezultuar që buxheti i kësaj zyre të zvogëlohet këtë vit.













