Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Zv/ministri Ahmeti tha se opinioni i raportueses Bakoyannis është miratuar në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, duke thënë se ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës pa asnjë parakusht.

Republika e Kosovës e ka kaluar votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Siç ka bërë të ditur zv/ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, nëpërmjet rrjeteve sociale, opinioni i raportueses Bakoyannis është miratuar në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, duke thënë se ky opinion rekomandon anëtarësimin pa asnjë parakusht.

“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit. Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit. Ai ka thënë se kjo i bie që Kosova duhet të bëhet anëtare në muajin maj të këtij viti.

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg më 15 prill. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shtuar zyrtari i ministrisë.

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar të suksesshëm këtë hap, duke thënë se do të vazhdohet puna me aleatët për anëtarësim të plotë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Kërkesat për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u plotësuan nga Qeveria e Kosovës kur më 13 mars urdhëroi Agjencinë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t’ia kthyer 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

Kosova ka dorëzuar kërkesën zyrtare për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022, ndërsa në prill 2023 ka kaluar fazën e parë të procedurës kur Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi që kërkesën për anëtarësim të Kosovës t’ia përcjell Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Pranimi në anëtarësimin e Këshillit të Evropës kërkon një shumicë prej dy të tretave të 46 shteteve anëtare.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi