Kosova do të jetë nikoqire për herë të tretë e njërit ndër ushtrimet më të mëdha ndërkombëtare të drejtuara nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, “Defender Europe 2025”.
Në këtë kontekst, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po synon të jetë pjesë aktive e këtij ushtrimi, duke e konsideruar pjesëmarrjen si hap të rëndësishëm drejt integrimit në strukturat e NATO-s.
Në një prononcim për Telegrafin, eksperti i sigurisë, Avni Islami, vlerësoi se FSK-ja është në një fazë të avancuar të zhvillimit të saj, duke u profesionalizuar çdo ditë më shumë dhe duke u pajisur me logjistikën e nevojshme për të funksionuar si një forcë moderne.
Ai theksoi se objektivi i Kosovës është që brenda dhjetë vitesh të jetë një forcë që qëndron krah për krah me NATO-n.
“Shteti i Kosovës është republika më e re në Evropë dhe synon që në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Deri atëherë, Kosova mbetet një konsumues sigurie përmes pranisë së KFOR-it, por synon që të bëhet prodhuese e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha Islami.
Ai shtoi se pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025” dëshmon përkushtimin e vendit për t’u integruar në NATO, dhe njëkohësisht tregon interesin strategjik që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleanca Veri-Atlantike kanë për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
“Kosova është pjesë e agjendës së SHBA-së dhe NATO-s, gjë që reflektohet edhe përmes organizimit të ushtrimeve të tilla. Kjo tregon jo vetëm mbështetjen, por edhe rëndësinë që ka paqja dhe stabiliteti në Kosovë për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në përgjithësi”, potencoi ai.
I pyetur se sa afër është Kosova drejt anëtarësimit në NATO, Islami u shpreh se FSK-ja në aspektin teknik dhe logjistik është gjithnjë e më e përgatitur për t’u bërë pjesë e Aleancës.
Megjithatë, ai theksoi se pengesa kryesore mbetet politike, për shkak se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Është një vendim politik. Derisa të gjitha shtetet anëtare të NATO-s nuk bien dakord dhe nuk e ratifikojnë anëtarësimin e Kosovës në parlamentet e tyre, rruga mbetet e bllokuar pavarësisht përparimeve në terren”, tha Islami.Islami foli edhe për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, duke thënë se ajo është në kontroll dhe relativisht e qetë, pavarësisht përpjekjeve destabilizuese nga Serbia dhe Rusia, veçanërisht në katër komunat veriore.
“Përkundër përpjekjeve për luftë hibride në veri, institucionet e sigurisë në Kosovë – përfshirë Policinë dhe FSK-në kanë autoritet të shtrirë në të gjithë territorin. Tentativat për destabilizim të situatës nga Lista Serbe dhe figura të caktuara si Radoiçiq kanë dështuar dhe do të dështojnë”, theksoi ai.
Sipas Islamit, qytetarët serbë në Kosovë po e kuptojnë gjithnjë e më shumë lojën politike të Beogradit dhe nuk po bien pre e provokimeve.
Ai përmendi edhe incidentin e fundit me maturantët serbë, që sipas tij, u përdorën për të manipuluar opinionin publik, duke paraqitur Kosovën si shtet që përndjek qytetarët e komunitetit serb, diçka që nuk përputhet me realitetin në terren.
“Policia e Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo feje. Përpjekjet për të krijuar tensione janë të izoluara dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e komunitetit serb në tërësi”, përfundoi Islami./Telegrafi/.