Qeveria në detyrë ka marrë vendim për heqjen e tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Reporteri.net.
Deri tash, tarifa për produktet amerikane ka qenë 10 përqind, e prej sot Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo tarifë do të jetë zero.
Kurti tha se shpreson që ky vendim të ketë ndikim në rritje të këmbimit tregtar dhe investimeve.
“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me ShBA. Nga tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA’të do të kenë tarifë zero përqind kur hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë shumë që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, deklaroi Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.
Ai tha se ky hap dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe përkushtimin për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa më të larta për dhjetëra vende anembanë botës për të “ristrukturuar tregtinë globale në dobi të punëtorëve amerikanë”.
Tarifat e reja variojnë nga 10 deri në 41 përqind, me tarifën më të lartë për Sirinë. Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do t’i nënshtrohen tarifave prej 15 përqind. Serbia do të përballet me tarifa prej 35 përqind dhe Bosnja dhe Hercegovina prej 30 përqind.
Shtëpia e Bardhë tha se tarifat synojnë “ristrukturimin e tregtisë globale në dobi të punëtorëve amerikanë” dhe do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, jo më 1 gusht siç ishte njoftuar më parë. Tarifat për mallrat kanadeze po rriten nga 25 në 35 përqind, por ato do të hyjnë në fuqi të premten./Reporteri.net