Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos ka ritheksuar mbështetjen e Unionit Europen për rrugën evropiane të Kosovës, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë konferencës për media, ajo theksoi se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe u bëri thirrje forcave politike që të kontribuojnë në krijimin e një klime më të qëndrueshme institucionale.
Sipas saj, progresi i Kosovës drejt integrimit evropian do të varet drejtpërdrejt nga zbatimi i reformave dhe avancimi në dialogun me Serbinë. Ajo nënvizoi se procesi i anëtarësimit nuk përcaktohet nga afate konkrete kohore, por nga rezultatet që arrin secili shtet kandidat.
Kos deklaroi se sa më shumë përparim të tregojë Kosova në përmbushjen e obligimeve dhe reformave të kërkuara, aq më afër do të jetë hapja e negociatave me BE-në. Ajo shtoi se integrimi nuk është vetëm proces politik, por edhe teknik, që kërkon punë të vazhdueshme dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane.
Komisionerja u shpreh optimiste për të ardhmen evropiane të Kosovës, duke theksuar se do të angazhohet maksimalisht për ta afruar vendin me Unionin Europian.










