Konjufca: Deklarata e O’Brien, shqetësuese – e kuptojmë pse janë hidhëruar

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, e ka komentuar deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se nëse ShBA-të nuk trajtohen si partnere nga Kosova, njëjtë do të veprojë edhe Amerika karshi Kosovës.

Konjufca tha se deklarata e O’Brien ishte shqetësuese por sipas tij, duhet shtruar pyetja se pse dinari serb “po e prishka relacionin e Kosovës me ShBA-të”.

“Ata po thonë që përmes këtyre veprime, po na befasoni. E partneriteti është mos me u befasu. Nëse dinari hiqet ashtu, serbët u çuan në protestë dhe ajo mund të shkaktojë tensione. Tash tensionet e rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe nëse cenohet siguria, mund të vijë deri te dalja jashtë kontrollit. E kur del situata jashtë kontrollit, përgjegjësinë më të madhe e merr Amerika për ta ndalë dhe për ta kthyer situatën në binarë”, tha Konjufca për “Demos”.

Tutje, kreu i kuvendit tha se Kosova e kupton pse ShBA-të janë hidhëruar dhe sipas tij, ata [Amerika], gjithmonë e sheh këtë prej perspektives së sigurisë.

“Ne dimë prej Jugosllavisë, që situata kur del shumë prej kontrollit, Evropa s’ka mundur ta kthejë në binarë. Ne e kuptojmë pse ata janë hidhëruar. Gjithmonë e shohim këtë prej perspektives së sigurisë”.

“Qëllimi ynë është që ta kuptojnë në mënyrën më të mirë të mundshme se cili është kufiri mes disa detyrave tona të shtëpisë sonë që ne duhet t’i bëjmë patjetër dhe cilat janë ato të cilat asnjë nuk duhet bërë pa pyet”, tha ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi