Kongresi Botëror Hebre kritikoi planin për zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor

Kongresi Botëror Hebre ka kritikuar planin e paraqitur nga ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili parashikon zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor.

Në një deklaratë, presidenti i Kongresit Botëror Hebre, Ronald Lauder, veçanërisht kritikoi mënyrën se si u shpall ky plan, duke iu referuar komenteve të Smotrich-it se ky projekt “e vret idenë e një shteti palestinez.”

Lauder i quajti këto “deklarata të papranueshme për një politikan izraelit” dhe e cilësoi Smotrich-in dhe ministrin tjetër radikal të qeverisë, Itamar Ben Gvir, si “ekstremistë.” Ai shtoi se këta dy ministra të krahut të djathtë ekstrem kanë dhënë vazhdimisht deklarata që “i shkaktojnë dëm serioz Izraelit” dhe nuk përfaqësojnë shumicën e hebrenjve në mbarë botën, të cilët i konsiderojnë ata si ekstremistë të padenjë për funksione publike.

Presidenti i Kongresit Botëror Hebre i bëri thirrje edhe kryeministrit Benjamin Netanyahu të deklarojë qartë se qeveria e tij nuk ndan këto qëndrime.

Kujtojmë se Smotrich ka shpallur planin për ndërtimin e vendbanimeve shtesë që do t’i përkisnin Izraelit në Bregun Perëndimor – territor nën kontrollin e Autoritetit Palestinez dhe që parashikohet të jetë pjesë e shtetit të mundshëm të ardhshëm palestinez. Në njoftimin e tij, ai gjithashtu theksoi se “Bregu Perëndimor është pjesë e Izraelit sipas premtimit hyjnor” dhe se me këtë plan “shkatërrohet ideja e shtetit palestinez.”

Kategoritë
BotaLajme