Konferenca Evropiane e Rabinëve pas Sarajevës u anulua edhe në Baku: “Ngjarja i shërben interesave të Izraelit”

Konferenca Evropiane e Rabinëve, e planifikuar të mbahej në kryeqytetin e Azerbajxhanit, u anulua për arsye sigurie.

Në një letër dërguar autoriteteve azere, Konferenca Evropiane e Rabinëve falënderoi qeverinë e Azerbajxhanit që kishte pranuar të ishte nikoqire e ngjarjes, megjithëse ajo në fund nuk u mbajt.

Megjithatë, ditët e fundit, disa liderë arabë, përfshirë edhe kryetarin e Partisë turke “Atdheu”, Doğu Perinçek, bënë thirrje për anulimin e konferencës, duke paralajmëruar se ajo i shërben interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.

Pritej që ngjarja të tërhiqte qindra pjesëmarrës nga Evropa, Izraeli, SHBA-ja dhe vende të tjera.

“Në materialin promovues për konferencën ishte theksuar se do të diskutohej për ‘Marrëveshjet e Abrahamit’, promovimin e lirisë së fesë dhe luftën kundër antisemitizmit në Evropë,” raportojnë mediat izraelite.

Kujtojmë se Konferenca Evropiane e Rabinëve ishte anuluar edhe në qershor të vitit 2025 në Sarajevë, ndërsa zyrtarët e kësaj organizate kishin dërguar mesazhe të ashpra ndaj autoriteteve të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Na bënë të padëshirueshëm, dhe ky bojkot ministror ndaj hebrenjve në Evropë, i përkushtuar vetëm për promovimin e jetës hebraike në Evropë dhe përparimin e dialogut e demokracisë në mbarë kontinentin, është i turpshëm. Ne nxisim dialogun, aktivitetet ndërfetare dhe promovojmë transparencën publike. Ky është një humbje për Sarajevën,” deklaroi drejtuesi i organizatës, Pinchas Goldschmidt.

Kategoritë
BotaLajme