Komunave u bllokohen llogaritë bankare, mbi 210 milionë euro të marra për shkak të vendimeve gjyqësore

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pas raportimeve nga kryetarët e komunave se llogaritë bankare të tyre janë bllokuar për shkak të vendimeve gjyqësore që lidhen me kontratat kolektive, raporton Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se nga viti 2022 deri në mesin e këtij viti komunave u janë marrë mbi 210 milionë euro përmes përmbaruesve gjyqësorë, duke i pamundësuar realizimin e projekteve kapitale.

“Sot në mëngjes kemi pranuar informata nga komunat e Kosovës, përkatësisht kryetarët e komunave, ku kanë kërkuar që AKK-ja të bëjë një reagim ndaj veprimit të Ministrisë së Financave sepse gjirrollogaritë e tyre bankare janë bllokuar. Pasojat e bllokimit të gjirrollogarive bankare po janë vendimet e gjykatave përmes përmbaruesve, ku komunave padrejtësisht po u merren mjetet financiare për zbatimin e kontratave kolektive. Deri më tani, në kalkulimet që i kemi si AKK, që nga viti 2022 deri në mesin e këtij viti, komunave u janë marrë mbi 210 milionë euro për shkak të vendimeve gjyqësore. Shumica absolute e këtyre mjeteve janë marrë për shkak të zbatimit të kontratave kolektive. Kjo është një dëm i jashtëzakonshëm që po ju shkaktohet komunave të Kosovës sepse shumë projekte për investime kapitale nuk po mund të zbatohen”, tha Ibrahimi.

Ai tha se mungon gatishmëria e nivelit qendror për të bashkëpunuar me komunat dhe për të gjetur një zgjidhje.

“Niveli qendror nuk po tregon gatishmëri që të bashkëpunojmë me komunat e Kosovës në mënyrë që ta zgjidhë këtë problem dhe që llogaritë bankare – nuk është hera e parë gjatë kësaj qeverie – po i bllokojnë komunave të Kosovës, por disa herë. Kemi pasur komunën e Vitisë, komunën e Deçanit, komunën e Suharekës, Rahovecit, Ferizajit, Lipjanit e komuna të tjera të cilat, për shkak të obligimeve ligjore, për shkak të proceseve gjyqësore, po u merren mjete financiarisht”, tha ai.

Sipas tij, në të kaluarën komunat ishin konsultuar për mënyrën e zbatimit të vendimeve gjyqësore, ndërsa tani niveli qendror po vepron në mënyrë të njëanshme.

“Është për t’u ardhur pak si çudi se në të kaluarën komunat paraprakisht janë konsultuar se në cilin vij buxhetor mund t’u merren mjete financiare, mirëpo tani niveli qendror është duke vendosur në kokë të vetë se ku t’u merren mjete financiare. Aty ku po gjen mjete financiare, po u merren edhe komunave dhe po mbesin projekte të shumta të cilat shkojnë në dobi të qytetarëve të pa implementuara – mallrave dhe shërbime. Problemi është se nëse nënshkruan një kontratë për ekzekutimin e punimeve me një operator ekonomik dhe nuk i përmbahesh kontratës për shkak se t’i marrin mjetet financiare nga niveli qendror, atëherë operatori ekonomik mund ta padisë komunën dhe normal që ai po e fiton rastin sepse kontrata është e nënshkruar”, tha Ibrahimi.

Ai përmendi konkretisht komunat më të prekura nga këto bllokime gjatë këtij viti.

“Është Ferizaji, që gjatë këtij viti në shumicën absolute të rasteve ka pasur pothuajse të bllokuar, sepse Ferizajit faturat i kanë shkuar mbi 10 milionë euro që duhet paguar vendime që kanë ardhur nga Gjykata përmes përmbaruesve. Komuna e Lipjanit gjithashtu, komuna e Drenasit, po ka pasur edhe komuna të tjera të cilat i përmenda, si Vitia, Rahoveci, Deçani, Suhareka e të tjera”, tha ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi