Kompania saudite mohon të jetë e përfshirë në transportin e armëve për Izraelin, edhe pse anija e tyre u ndalua nga punëtorët

Edhe pse mediat italiane raportuan se punëtorët në portin e Xhenovës kanë bllokuar anijen saudite Bahri Yanbu, e cila dyshohej se po transportonte armë nga Amerika për Izraelin, kompania ka mohuar këto pretendime.

Bahri, Saudi National Shipping Co., ka mohuar kategorikisht akuzat lidhur me transportin e ngarkesave për Izraelin.

Kompania ka deklaruar se akuzat për transport të ngarkesave të destinuara për Izraelin “janë plotësisht të rreme dhe të pabazuara”. Ata shtuan gjithashtu se janë të përkushtuar ndaj politikës së vendosur për Palestinën dhe ndaj të gjitha ligjeve e rregullave lokale e ndërkombëtare që rregullojnë operacionet e transportit detar.

Kompania theksoi se nuk ka transportuar dhe nuk do të transportojë kurrë mallra apo ngarkesa drejt Izraelit në asnjë formë.

Po ashtu, u vu në dukje se të gjitha aktivitetet operacionale i nënshtrohen mbikëqyrjes së rreptë dhe procedurave rigoroze të auditimit, për të siguruar përputhshmëri të plotë me rregulloret përkatëse.

Ky demant erdhi si përgjigje ndaj raportimeve të mediave italiane se punëtorët në portin e Xhenovës kishin bllokuar anijen saudite Bahri Yanbu, e cila dyshohej se po transportonte armë nga Shtetet e Bashkuara për Izraelin – pretendim që Bahri e hodhi poshtë në mënyrë të vendosur.

Kujtojmë se mediat italiane raportuan se më 7 gusht punëtorët ndaluan anijen saudite Bahri Yanbu, e cila kishte mbërritur nga Amerika, dhe pretendojnë se ajo mbante një ngarkesë të madhe armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake – përfshirë armë dhe tanke për Izraelin.

Punëtorët portualë në Xhenovë më herët, në vitin 2019, kishin ndaluar një ngarkesë të ngjashme armësh në të njëjtën anije.

Kategoritë
BotaLajme