– “Mesazhi im për autoritetet izraelite është shumë i qartë, vini në veprim këtë marrëveshje tani. Ndaloni vrasjen e njerëzve”, tha Komisionerja Evropiane për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib
Komisionerja Evropiane për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib, i kërkoi Izraelit të ndalojë vrasjen e njerëzve në Gaza, transmeton Anadolu.
“Mesazhi im për autoritetet izraelite është shumë i qartë, vini në veprim këtë marrëveshje tani. Ndaloni vrasjen e njerëzve”, tha Lahbib, duke theksuar se Izraeli është “larg” nga zbatimi i marrëveshjes së tyre për lejimin e rifillimit të ndihmës humanitare.
Ka disa zhvillime “pozitive” dhe mundësi për të hyrë ndihma në Gaza, riafirmoi ajo, ndërsa paralajmëroi se situata mbetet ende “kaq e rrezikshme” dhe se partnerët e tyre humanitarë nuk mund të veprojnë ndërsa sulmet vazhdojnë.
“Është e rëndësishme të ruhet njëfarë ndikimi dhe të ruhet presioni. Ajo që na duhet është një armëpushim, një marrëveshje, të ndalet dhuna, të lirohen të gjithë pengjet dhe të lehtësohen vuajtjet e njerëzve që po vdesin prej urie”, theksoi Lahbib.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka ndjekur një ofensivë brutale në Gaza që nga fundi i tetorit 2023, duke vrarë gati 58.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe ka çuar në mungesë ushqimesh dhe përhapje sëmundjesh.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.